Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i një nate më parë ku mbeti i vdekur biznesmeni Eduart Reçi. Në momentin që familjarët e kanë parë të shtrirë në tokë dhe të gjakosur 52-vjeçarin kanë njoftuar policinë. Salla operative është njoftuar për një person të gjakosur dhe jo për vrasje.
Pasi i është hapur telefoni, Eduart Reçi nuk rezulton të jetë telefonuar dhe as nuk ka shkëmbyer mesazhe me ndokënd para se të ndodhte ngjarja. Kamerat e sigurisë në zonë kanë kapur vetëm momentin kur 52-vjeçari bie në tokë i kthyer me fytyrë nga rruga kryesore. Plumbi e ka kapur në pjesën e djathtë të fytyrës. Qitja ka qenë një zhurmë e mbytur.
Sipas Drejtorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Ervin Hodaj, hetuesit janë angazhuar maksimalisht në zbardhjen e kësaj vrasjeje. Ai tha se në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një predhë e kalibrit të vogël, por jo ndonjë gëzhojë. Ai theksoi se 52-vjeçari mund të jetë qëlluar nga një distancë 20-30 m, me një armë jo të zakonshme.
“Ditën e djeshme rreth orës 23:00 është marrë telefonata e parë për një person të shtrirë në ambientet para pallatit, i gjakosur në kokë. Aty policia ka gjetur bashkëshorten e tij dhe banorët e pallatit. Rreth orës 04:00 të mëngjesit ai ka ndërruar jetë. Është vlerësuar maksimalisht zbardhja e ngjarjes, nuk ka pasur shumë dëshmitarë, për shkak dhe të momentit kur ndodhi ngjarja.
Kemi punuar me kamerat e vendit të ngjarjes. Sot kemi punuar përsëri ku është gjetur një predhë e kalibrit të vogël, pra nuk është armë e tipit të zakonshëm. Mund të jetë e një modeli tjetër, 5.56 mm dhe dëmtimi nuk ishte shumë i madh…
Nëse do e merrte në trup mund të mos kishte pasoja. Është një distancë rreth 20-30 m, janë bërë disa eksperimente hetimore. Predha është gjetur, gëzhoja jo. Këto lloj armësh nuk e nxjerrin gëzhojën, kështu që do jetë e vështirë për ta gjetur”, tha Hodaj në emisionin “Opinion”.
Hodaj shtoi se viktima nuk ka asnjë rekord kriminal.
“Nuk ka ndonjë të kaluar kriminale. Jemi në orët e para të zbardhjes së ngjarjes. Po trajtohen të gjitha pistat, nuk përjashtojmë asnjë! S’ka asnjë rekord kriminal në arkivat tona”, tha ai.