Aktualitet Shqipëri-Çeki nesër në “Air Albania”, Policia harton plan masash

Shqipëri-Çeki nesër në “Air Albania”, Policia harton plan masash

Policia e Shtetit ka hartuar plan masash për 2 ndeshjet e Kombëtares që do të luhen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Konkretisht për sfidat Shqipëri-Çeki më 16 Nëntor 2024 dhe Shqipëri-Ukrainë më 19 Nëntor 2024.

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Çeki (16 Nëntor) konsistojnë te:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës gjatë datës 16 Nëntor 2024, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

Rruga “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

Rruga “Themistokli Gërmenji”;

Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut;

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

Rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Ndeshja Shqipëri-Çeki do të luhet ditën e shtunë, në orën 20:45.