Policia e Tiranës ka kryer disa prova mbrëmjen e së premtes në vendin ku u ekzekutua Eduart Reçi.
Eksperimenti është bërë me qëllim për të zbuluar vendin dhe pozicionin që autorët kanë përdorur në momentin kur kanë qëlluar me një plumb në kokë 52-vjeçarin.
Ndërkohë fillimisht grupi hetimor kishte dyshime se biznesmeni ishte qëlluar nga tarraca e një ndërtese aty pranë, por nga provat dyshohet se autori ka qenë në lartësi më të ulët, jo në tarracë, ndoshta në një prej kateve.
Dyshohet se ka qenë në një pallat me ngjyrë të kuqe në afërsi, i pozicionuar. Pritet që policia kriminale të kryejë sërish eksperimente të tjera, pasi ka akoma paqartësi.
Arma e përdorur në vrasje është pistoletë sportive e llojeve të reja, ndërsa po pritet ekspertiza e predhës për ta vërtetuar.