Politika “Po flirton me Erdoganin dhe Ramën”, Mitsotakis përjashton nga partia ish-kryeministrin Samaras

“Po flirton me Erdoganin dhe Ramën”, Mitsotakis përjashton nga partia ish-kryeministrin Samaras

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar përjashtimin nga partia Demokracia e Re, ish-kryeministrin konservator, Antonis Samaras.

Në deklaratën e Partisë Demokracia e Re theksohet se ish-kryeministrat kanë privilegjin e veçantë për të shprehur herë pas here mendimet dhe shqetësimet e tyre për çështje politike, por sipas tyre, Samaras, në intervistën e tij të fundit, nuk shprehu mendime.

Më tej theksohet se Samaras shfaqi mosmarrëveshjen e tij të plotë me të gjithë politikën qeverisëse që po zbatohet.

Gjithashtu në reagim shkruhet se ish-kryeministri në një mënyrë të papërshtatshme dhe provokuese, tha gënjeshtra ekstreme duke shtrembëruar deklaratat e ministrit të Jashtëm.

Sipas Demokracië së Re, Samaras shkoi deri aty sa të pretendonte se Mitsotakis dhe Presidenti i Republikës së Qipros “po flirtonin” me Presidentin e Turqisë Erdogan dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edu Rama.

Deklarata e Partisë Demokracia e Re në Greqi:

E kemi thënë shumë herë se ish-kryeministrat kanë privilegjin e veçantë për të shprehur herë pas here mendimet dhe shqetësimet e tyre për çështje politike. Megjithatë, z. Samaras, në intervistën e tij të fundit, nuk shprehu mendime. Përkundrazi, ai shfaqi mosmarrëveshjen e tij të plotë me të gjithë politikën qeverisëse që po zbatohet.

Për më tepër, në një mënyrë të papërshtatshme dhe provokuese, ai tha gënjeshtra ekstreme, duke shtrembëruar deklaratat e Ministrit të Jashtëm, të cilat janë sqaruar vazhdimisht dhe në detaje. Madje, ai shkoi deri aty sa të pretendonte se Kryeministri i Greqisë dhe Presidenti i Republikës së Qipros “po flirtonin” me Presidentin e Turqisë dhe Kryeministrin e Shqipërisë.

Së fundi, diskutimi i pavend për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, për të cilin ai këmbënguli, përbën fyerje për figurën dhe institucionin e kreut të shtetit. Të gjitha këto nuk mund të tolerohen apo pranohen. Shoqëria ka lënë pas, prej vitesh, logjikat e politikës së “oborrit” dhe sjelljet që frymëzohen nga “inatet” partiake. Dhe ata që ëndërrojnë një Demokraci të Re të tkurrur në nivelin e 18%, duhet të reflektojnë se me strategjinë e Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re ka fituar deri më tani tre zgjedhje kombëtare me përqindje rreth 40%.

Prandaj, z. Samaras, me intervistën e tij të sotme, e ka vënë veten, për herë të dytë pas vitit 1993, jashtë Demokracisë së Re. Në fakt, këtë ai e ka synuar. Por kësaj here, historia nuk do të përsëritet. Shumica qeveritare vazhdon rrugën e saj të qëndrueshme, pa z. Samaras. Askush nuk ka të drejtë të luajë me stabilitetin e atdheut në këto kohë të trazuara.