Një ngjarje e rëndë kriminale është shmangur nga policia mëngjesin e së dielës në zonën e Dibrës.
Në kuadër të operacionit “Inteligjenca”, është bërë i mundur arrestimi i 20-vjeçarit Luiz Dikollari, i cili dyshohet se po përgatitej për një ngjarje të rëndë kriminale.
Dikollari qarkullonte me një automjet me targa të huaja dhe shasi të dëmtuar, i armatosur me kallashnikov dhe një bidon 20 litra me benzinë.
Policia kishte marrë informacion më herët se ky shtetas qarkullonte me automjet me targa të huaja dhe i armatosur, dhe dyshohej se do kryente një ngjarje të rëndë.
Strukturat hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për të bërë zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të qëllimit që kishte 20-vjeçari, i cili u arrestua në flagrancë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.