Një nga anëtarët e grupit kriminal të arrestuar gjatë operacionit të antidrogës nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit, ka shkuar më parë si turist në Amerikën Latine, por për shkak se mbeti i izoluar gjatë pandemisë arriti që të krijojë kontakte me trafikantët.
Sipas “Report TV”, 37-vjeçari Aldi Zonja, kishte shkuar me vizë turistike në Amerikën Latine, por gjatë pandemisë mbeti atje i izoluar për shkak të karantinës. Gjatë kësaj periudhe, dyshohet se Zonja krijoi kontaktet me trafikantët e drogës dhe më pas me bashkëpunëtorët e tjerë ndërtuan laboratorin e kokainës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se një vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latinë për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”.
Në Shqipëri, “laborantët” e përpunonin duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian. Përveçse në Krujë dhe në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit që kishin role të mirë përcaktuara. Disa ishin financues, disa transportues, përpunues, të tjerë shpërndarës.
Por përpunimin e drogës ia kishin besuar 3 personave nga Amerika latime, që mesa duket ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë. Edhe pse laboratori ishin me qendër në Qerekë, grupi kishte edhe zona të tjera ku strehoheshin, një pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe një tjetër portit të Durrësit. Të dyja lokacione që u siguronin një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nga aksioni, SPAK ka sekuestruar 48 ton (rreth 850 lëkurë gjedhi) lëndë narkotike e importuar nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg kokainë; dhjetra mijë euro dhe 22 telefona celularë, 2 laptopë dhe 17 karta SIM.
Në këto të fundit, pritet që SPAK të grumbullojë edhe më shumë informacione për kontaktet e grupit. Detaje këto që mund të zbërthejnë një grup akoma më të madh kriminal.