Rusia ndërmori një valë masive sulmesh me dronë dhe raketa rreth Ukrainës, duke goditur infrastrukturë energjetike dhe godina banimi, në Kiev, dhe rajone të tjera si Donjetsk, Lviv dhe Odesa.
Ky ishte sulmi më i madh që prej muajit gusht dhe i pari në disa kohë që arrinte zonat më perëndimore të Ukrainës. Siç bëhet e ditur të paktën 7 persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte lëshuar 120 raketa dhe 90 dronë që shënjestruan infrastrukturë energjetike në të gjitha rajonet e vendit.
Biden heq veton për përdorimin e armëve me rreze të gjatë
Administrata Biden i ka hequr Ukrainës ndalimin e përdorimit të armëve amerikane me rreze të gjatë për të goditur në thellësi të Rusisë. Veçanërisht, Uashingtoni ka dhënë dritën jeshile të përdorimit të raketave Atacms. Sipas New York Times, kjo është përgjigjja amerikane për përfshirjen e Koresë së Veriut në luftë.
Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë në ditët në vijim, thanë burimet e Reuters, pa zbuluar detaje për shkak të shqetësimeve të sigurisë operacionale.
Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë deri më tani.
Lëvizja e Shteteve të Bashkuara dy muaj përpara se presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, vjen pas kërkesave disamujore të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të lejuar ushtrinë e Ukrainës të përdorë armë amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse larg kufirit të saj.
Macron: Putin nuk do paqe
“Putin nuk do paqe dhe nuk është për ta negociuar”. Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron duke iu referuar bombardimit masiv rus sot mbi Ukrainës. Shefi i Elizesë tha se është i gatshëm të flasë me liderin rus, “por kur konteksti të jetë i drejtë”.
Scholz: Kievi mund të mbështetet tek ne
Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili është vënë në shënjestër të kritikave për telefonatën e zhvilluar me presidentin rus Vladimir Putin më herët gjatë javës, tha të dielën se Kievi mund të mbështetet tek ata, dhe se çdo negociatë me Rusinë do të duhej të kishte miratimin e Ukrainës.
“Kam zhvilluar bisedime edhe me presidentin rus, siç është paralajmëruar shumë kohë më parë. Kjo ishte e rëndësishme për t’i thënë atij se nuk duhet të llogarisë në mbështetjen e Gjermanisë, Evropës dhe shumë të tjerëve në botë që territori Ukrainas të zvogëlohet, por se tani i takon atij që të sigurojë që lufta të përfundojë, duke tërhequr trupat.
Biseda ishte shumë e detajuar, por kontribuoi për të mësuar se pikëpamjet e presidentit rus mbi këtë luftë nuk kanë ndryshuar shumë, gjë që nuk është një lajm i mirë.. Pikërisht për këtë është kaq e rëndësishme që ne jemi shumë të qartë në çështjen parimore, domethënë se Ukraina mund të mbështetet tek ne dhe se nuk do të vendime mbi kokat e ukrainasve, se shumë gjëra do të duhet të diskutohen dhe rinegociohen.”