Ekonomi Bonus pranvere për pensionistët, Rama: Fondi gati në ditët e para të...

Bonus pranvere për pensionistët, Rama: Fondi gati në ditët e para të Dhjetorit

Kryeministri Edi Rama sot në Kuvend ka lajmëruar që në krye të herës se sa do jetë bonusi i fundvitit për pensionistët. Sipas tij, për të gjithë ata që e kanë pensionin deri në 200 Euro, do të ketë rritje të bonusit me 150 Euro. Ndërsa për pjesën tjetër që e kanë më të lartë se aq, do të dyfishohet bonusi në krahasim me vitet e shkuara.

“Në hyrje të kësaj fjale për projekt-buxhetin 2025, dua t’ju përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të çlirojë një fond prej 100 mln eurosh për bonusin e tyre të fundvitit. Ky bonus do të ndahet në dy shkallë, të gjithë ata që kanë një pension deri në 200 Euro, do të marrin trefishin e bonusit të deri djeshëm. Përmes një bonusi të ri prej 150 Eurosh! Ndërsa, pensionistë që e kanë më të madh se 200 Euro do të marrin dyfishin e viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 100 Euro. Ky dallim mes të parëve e të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë pension më të ulët”, tha Rama.

Përpos atij të fundvitit, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do mundësojë bonusin e pranverës (i vlefshëm në çdo vit vijues) për pensionistët. Ai theksoi se nga rritja e ndjeshme e bonusit të fundvitit do përfitojnë disa kategori të pensionistëve, që nga invalidët e deri te nënat kryefamiljare.

“Bonusi i trefishtë do të përfitohet në këtë fundvit nga më shumë se gjysmë milionë pensionistë, 511 mijë, ku përfshihen invalidë pune e nëna kryefamiljare. Më konkretisht akoma, për të gjithë ata që marrin një pension social, ky bonus është i barabartë me një rritje pensioni prej afro 13%. Për nënat kryefamiljare ky bonus sjell një rritje me 35% të pensionit mujor. Nuk është thjesht hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, ky është edhe një hap kuptimplotë në drejtimi e qëllimit tonë të shpallur për ta rritur mirëqenien duke filluar të pëfshijmë edhe pensionistët në rishpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, ky nuk është i vetmi hap sepse paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para të Dhjetorit do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë, do jetë bonusi i pranverës që do ndikojë më tej, në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do jepet në hyrje të çdo pranvere, një shumë e përftuar nga rritja e ekonomisë dhe të të ardhurave të shtetit.”

Rama shtoi se vitin që vjen do të jetë gati edhe plani i ri për pensionet në funksion të rritjes ekonomike. Nuk kurseu ironitë ndaj opozitarëve sa i takon akuzave të tyre për projekt-buxhetin 2025.

“Ky plan do garantojë qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes së pensioneve pa rrezikuar asnjë fije stabilitetin financiar të vendit. Pa ulur, por duke rritur investimet kapitale për Shqipërinë. Ka shumë për të thënë për këtë temë, që në vigjilje të ballafaqimeve elektorale është bërë shesh për përsheshet e spekulantëve. Herë në fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit, e herë me fytyrën e padjersitur, por plot oreks për këta shitës qylymash, disa të njohur për punë të këqija të shtetit e ca të panjohur se s’kanë bërë asnjë punë kanë marrë rrugët në një përpjekje të zhurmshme për t’ju shitur shqiptarëve një tufë qilimash, kanë dalë kanal më kanal, portal më portal e rrjet më rrjet.”, tha kreu i qeverisë.