Në mbyllje të fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama u ndal te bujqësia. Ai tha se për këtë sektor janë planifikuar plot 146 milion Euro financim.
“Një shifër të fundit nga ana ime se nëse ka një pikë të dytë pas kësaj të pensioneve, është bujqësia! Pa llogaritur fare fondet europiane, me të cilat janë financuar mbi 500 projekte në gjithë territorin e Shqipërisë. Janë atje në realitetin e vendit, do ketë 146 mln Euro për bujqësinë krahasuar me e dini se sa? Me 35 mln Euro! 5-fishi! Kjo nuk është për të thënë se unë jam i kënaqur, absolutisht jo, nuk ka vend për kënaqësi, por ama ka shumë vend për besim.”
Teksa u ndal te rruga e anëtarësimit të vendit në BE, ai u shpreh me bindje se vota e shqiptarëve në Maj 2025 do shkojë për Partinë Socialiste.
“Shqipëria që ne duam po bëhet, ne po e ngjisim në majën e 2030-ës, aty ku gjendet oborri i familjes së bashkuar europiane dhe ku flamuri ynë do rreshtohet krah për krah flamujve të botës. Shqipëria që duam nuk është më një realitet i ëndërruar, por realitet i prekshëm me sy dhe punë me të vetmen forcë qeverisëse që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! PS-ja ka një vyrtyt, gjithmonë e më të fortë dëgjon, duron, lufton dhe në momentin e duhur ua kthen të tëra ashtu siç i meritojnë. Buxheti i parë në këtë sallë ishte pasqyra e një trashëgimie të errët. Buxheti i ri është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse, por edhe dritarja ku shihet rruga drejt destinaconit historik e për këtë shqiptarët, se ua kam thënë gjithmonë, mblidheni mendjen, se më keq do dilni herën tjetër…Pranverën e ardhshme do japin me vendimin e tyre një gjykim që do jetë më i miri historik për PS-në dhe më i merituari për këto mbeturina të një kohe që nuk do të kthehet më kurrë!”