Bota “Po shkakton Luftën e Tretë Botërore”, Biden lejoi Ukrainën të sulmojë në...

“Po shkakton Luftën e Tretë Botërore”, Biden lejoi Ukrainën të sulmojë në thellësi të Rusisë. Reagime të ashpra nga Moska

Rreth dy muaj para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden, merr ndonjë një prej vendimeve më të forta sa i përket luftës në Ukrainë. Dy zyrtarë të administratës, dhe një burim I afërt më çështjen bënë me dije të dielën se Biden ka vendosur të lejojë Ukrainën të përdorë raketat amerikane për të goditur në thellësi të territorit rus.

Burimet pretendojnë se Kievi ka në plan të ndërmarrë sulmet e para me raketa me rreze të gjatë ditëve në vazhdim. Kjo kthesë e rëndësishme në qasjen amerikane, vjen kryesisht në kundërpërgjigje të angazhimit të trupave koreano-veriorë në luftën ruse, lëvizje që ka shkaktuar alarm në Uashington dhe Kiev. Në një video-mesazh të publikuar gjatë mbrëmjes, presidenti Volodimir Zelenski tha se raketat do të flisnin vetë.

“Sot, shumë media po thonë se ne kemi marrë lejen për veprime të caktuara. Por sulmet nuk kanë të bëjnë me fjalët. Gjëra të tilla nuk njoftohen…Raketat do të flasin vetë. Lavdi Ukrainës”, u shpreh Zelensky.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit refuzuan të komentonin.

Reagime të ashpra erdhën nga Rusia, me zv.kryetarin e  komitetit për punët e jashtme në parlamentin rus, Vladimir Dzhabarov që paralajmëroi se vendimi i Uashingtonit për të lejuar Kievin të godasë në thellësi të territorit rus mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore.

“Perëndimi ka vendosur për një shkallë të tillë përshkallëzimi që mund t’i japë fund në rrënoja shtetësisë ukrainase, brenda ditës”, ishin fjalët e tij.

Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, e konsideroi lajmin se presidenti amerikan Joe Biden ka lejuar Ukrainën të përdorë artilerinë me rreze të gjatë veprimi kundër territorit rus si përpjekje e fundit për t’i hedhur benzinë zjarrit për të përshkallëzimin e konfliktin.

Peskov u tregua i kujdesshëm duke iu referuar mediave për këtë zhvillim, pasi nga Shtëpia e Bardhë ende nuk ka asnjë konfirmim. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit solli në vëmendje rregulloren e re të përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, të miratuar nga Vladimir Putin më 26 shtator.

“Rezervojmë të drejtën të përdorim armë bërthamore, nëse sulmohet Rusia apo Bjellorusia si pjesë e unionit… Sulmet ndaj Rusisë nga një vend jo-bërthamor, me mbështetjen e një fuqie bërthamore, konsiderohen si sulme të përbashkëta”.

CNN shkruan se “ky vendim i Biden e bën të komplikuar luftën që Trump do të trashëgojë”.

Më herët, djali i Donald Trump tha përmes rrjetit X se industria ushtarake kërkon të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore para se i ati të marrë presidencën dhe të sillte paqe. “Do t’ua bllokojmë ato triliona dollarë”, shkroi Donaldi i ri.

Sulmet e para të Ukrainës në thellësi të territorit rus me gjasa do të përfshijnë raketat Atacms të Shteteve të Bashkuara, që kanë një rreze deri në 306 km.