Kryesore Nesër vendimi në GJKKO për rishikimin e masës së sigurisë, Meta thirrje...

Nesër vendimi në GJKKO për rishikimin e masës së sigurisë, Meta thirrje simpatizantëve: Mos protestoni

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka dërguar nga burgu një mesazh për anëtarët dhe simpatizantët e PL-së.

Ai shprehet se nesër në orën 10:00 në Gjykatën e Apelit në GJKKO zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës të arrestit me burg të aplikuar ndaj tij, që e cilëson si të paligjshme.

Meta deklaron se është vënë në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga ai ose spontane për të protestuar para gjykatës. Ai kërkon që askush të mos protestojë, duke thënë se veprime të tilla janë të dëmshme.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!

Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji.

Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës.

Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme.

Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik.

Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqëndrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta.

I Juaji, Ilir Meta”, shkruan kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.