Aktualitet Pagesa me kriptomonedha mes grupeve kriminale, 18 të arrestuar dhe dy në...

Pagesa me kriptomonedha mes grupeve kriminale, 18 të arrestuar dhe dy në kërkim. Sekuestrohen 750 mijë euro

Drejtoresha e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, dha detajet në një konferencë për shtyp pas operacionit të policisë, të koduar “USDT-1”.

Ajo bëri me dije se policia ka ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës për 18 persona.

Ata akuzohen për disa vepra penale, që nga ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare, fshehje të të ardhurave dhe moskallëzim i krimit.

Ndërkohë në kërkim janë shpallur 2 persona nga Maqedonia e Veriut.

Gjana sqaroi se 18 të arrestuarit, në rolet e autorëve dhe administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë e Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme.

Hetimet po vijojnë, teksa policia ka konkluduar se kriptomonedhat përdoreshin si mekanizëm pagese ndërmjet grupeve kriminale.

“Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese ndërmjet grupeve kriminale”, u shpreh Gjana.

Si pasojë e kontrolleve në 32 ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 750 mijë euro, para që sipas policisë dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 13 pajisje kompjuterike dhe 27 celularë.