Një sasi prej 56 kilogramësh kanabis u sekuestrua nga autoritetet në Kapshticë. Droga ishte fshehur në një kamion me destinacion Greqinë.
Për ngarkesën autoritetet policore vunë në pranga transportuesit, babë e bir, 68 vjeç dhe 35 vjeç nga Tirana.
Droga u zbulua gjatë kontrollit me skaner të kamionit. Ajo ishte e fshehur brenda 44 shufrave metalike të vendosura në pjesën e tavanit të rimorkios.
Përveç kanabisit, policia sekuestroi edhe 1300 euro. Po ashtu në kërkim u shpall edhe një 38-vjeçar, i dyshuar si posedues i drogës dhe bashkëpunëtor në trafikun e saj
“Në PKK Kapshticë, në dalje të RSh-së, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën policore, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion me drejtues shtetasin A. H dhe pasagjer shtetasin D. H. Gjatë kontrollit, në pjesën e tavanit të rimorkios së kamionit u konstatuan të montuara 44 shufra metalike, në të cilat ishin fshehur sasi lënde narkotike cannabis sativa, me peshë totale 56 kilogramë. Në vijim të veprimeve procedurale u shpall në kërkim shtetasi F. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet si posedues i lëndës narkotike dhe bashkëpunëtor në trafikimin e saj”, tha policia e Korçës në një njoftim për mediat.