Pasi Apeli i GJKKO-së la në fuqi masat e sigurisë ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit të caktuara nga Shkalla e Parë më 23 tetor 2024, avokati Genc Gjokutaj ka dhënë një prononcim për mediat.
Gjatë fjalës së tij, avokati i ish-Presidentit ka thënë se ky ishte një vendim i pritshëm, të cilin e ka cilësuar politik.
“E prisnim sepse shkaku për të cilin Meta dhe lideri tjetër i opozitës mbahen të izoluar nuk ka rënë. Apeli është si GJKKO, në mos më keq. Nuk ka ndonjë çudi. Bëmë 6 orë gjyq me të gjithë parametrat e një procesi. Mbrojtja jonë ishte procedurale”, tha Gjokutaj.
Avokati Genci Gjokutaj thotë se nuk i kanë humbur shpresat ndaj sistemit të drejtësisë në vend teksa shton se çështjen do e dërgojnë në Gjykatën e Lartë.
“Nuk i kemi humbur shpresat, këta gjyqtarët do të fillojnë të dëgjojnë, nuk mund të ecet në këtë formë, e gjithë opozita në burg. Patjetër që do i drejtohemi Gjykatës së Lartë me rekurs. Kjo është rruga që duhet të ndjekim, nëse do të jetë nevoja do të shkojmë deri në Gjykatën Ndërkombëtare”, tha Gjokutaj.
Me vendimin e sotëm të Apelit, Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në arrest në burg, ndërsa edhe për Monika Kryemadhin qëndron masa detyrim paraqitje.