Bota Do të drejtohet nga Elon Musk, si do të funksionojë Departamenti i...

Do të drejtohet nga Elon Musk, si do të funksionojë Departamenti i ri i Efikasitetit të Qeverisë në SHBA?

Kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën për herë të dytë në janar, dy prej mbështetësve më me peshë të tij do të kenë një portofol të ri, të krijuar për të ulur shpenzimet e qeverisë dhe për të përmirësuar efektivitetin e saj.

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, i cili pavarësisht nga emri i tij, ka të ngjarë të jetë një organizëm këshillues dhe jo një departament federal, do të drejtohet bashkarisht nga themeluesi i kompanive Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, dhe ish-kandidati republikan për president, biznesmeni Vivek Ramaswamy.

Emri i nismës, të njohur me akronimin DOGE, duket të jetë produkt i sensit të humorit të zotit Musk, njeriut më i pasur në botë. Ai prej kohësh ka pasur interes për një kriptomonedhë të njohur si Dogecoin.

Dy bashkëkryetarët Musk dhe Ramaswamy kanë caktuar 4 korrikun 2026 – 250 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara – si afatin për përfundimin e punës së tyre, e cila pritet të shtrihet në të gjitha aspektet e qeverisë federale, për të shkurtuar shpenzimet dhe eliminuar burokracinë.

Premtime të mëdha

Në deklaratën që njoftonte krijimin e nismës DOGE, zoti Trump shprehej se ajo “do t’i hapte rrugën administratës së tij për të eliminuar burokracinë qeveritare dhe rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e panevojshme dhe për të ristrukturuar agjencitë federale”.

Zoti Musk ka spekuluar publikisht se ekziston mundësia të identifikohen rreth 2 trilionë dollarë buxhetin federal që mund të shkurtohen. Kjo do të përbënte gati një të tretën e 6.1 trilionë dollarëve që qeveria federale shpenzoi në vitin fiskal 2023 dhe nuk mund të realizohet pa reduktime drastike në shërbimet dhe programet qeveritare.

Zoti Ramaswamy ka lënë të kuptohet se janë pikërisht shkurtime të tilla ato që do të sugjerojnë ai dhe zoti Musk. Në një intervistë në Fox News të dielën, ai u pyet nëse ata synojnë të mbyllin departamente të tëra qeveritare. Ai u përgjigj:

“Ne parashikojmë reduktime masive. Parashikojmë që disa agjenci të mbyllen plotësisht. Presim reduktime masive mes punonjësve aty ky qeveria federale është e fryrë. Presim shkurtime masive mes kontraktorëve federalë dhe të tjerëve, të cilët po abuzojnë me fondet e qeverisë federale.”

“Unë mendoj se njerëzit do të befasohen nga shpejtësia me të cilën do të veprojmë për disa nga këto ndryshime.”

Precedenti i kohës së Presidentit Regan

Organizatat që mbështesin një mbikëqyrje më rigoroze të shpenzimeve federale treguan një optimizëm të matur lidhur me krijimin e departamentit të ri.

Tom Schatz, president i organizatës “Qytetarët Kundër Shpërdorimeve Qeveritare”, i tha Zërit të Amerikës se DOGE do të përbëjë herën e parë “që sektori privat bën një rishikim të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës të qeverisë federale” që kur Presidenti Ronald Regan krijoi Komisionin ‘Grace’, synimi i të cilit ishte të rekomandonte përmirësime në efikasitetin e qeverisë në vitin 1982. Se sa ndikim do të ketë DOGE, tha zoti Schatz, do të varet nga një numër faktorësh jashtë kontrollit të komisionit.

“Gjithçka do të varet nga ajo që do të bëjë Presidenti Trump me rekomandimet e tyre,” tha zoti Schatz. “Rekomandimet duhet të zbatohen, qoftë përmes urdhrave ekzekutivë, ose legjislacionit … dhe në shumë raste do t’i duhet Kongresi për të zbatuar rekomandimet.”

Në një deklaratë të lëshuar pasi zoti Trump njoftoi krijimin e nismës DOGE, Maya MacGuineas, presidente e Komisionit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm, vlerësoi idenë që qëndron pas saj, por paralajmëroi se do të duhet një bashkëpunim dypartiak, që të vihen në jetë ndryshime reale.

“Është e rëndësishme që procesi të jetë sa më dypartiak që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndihmojë në realizimin dhe zbatimin e ideve,” tha zonja MacGuineas.

“Rekomandimet do të kenë nevojë për miratim nga Kongresi, çka e përforcon edhe më tej nevojën që kjo të jetë një përpjekje me mbështetje dypalëshe dhe për t’i lënë të gjitha opsionet të hapura në tryezë për të trajtuar çekuilibret fiskale”, u shpreh ajo.

Një buxhet masiv

Komisioni i mbikëqyrur nga zoti Musk dhe zoti Ramaswamy do të shqyrtojë një buxhet federal në të cilin shumica e shpenzimeve të qeverisë njihen si “të detyrueshme”. Shpenzimet e detyrueshme përfshijnë pagesat që qeveria është e detyruar t’i bëjë me ligj, dhe në vitin 2023 ato kapnin shifrën 3.8 trilionë dollarë nga buxheti total prej 6.1 trilionë dollarësh.

Sasia më e madhe, 1.3 trilionë dollarë, ishte ajo për Sigurimet Shoqërore, programi federal që siguron të ardhura për pensionistët, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit.

Qeveria shpenzoi edhe 448 miliardë dollarë të tjerë për mbështetjen e grupeve të tjera, si të papunët dhe prindërit me të ardhura të ulëta.

Shpenzimet për programin e kujdesit shëndetësor për amerikanët e moshuar, i njohur si ‘Medicare’, kapnin shifrën e 839 miliardë dollarëve, ndërsa shpenzimet për programin që ofron kujdes shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta, i njohur si ‘Medicaid’, ishte 616 miliardë dollarë.

Kategoria tjetër e shpenzimeve përfshin buxhetin që Kongresi autorizon çdo vit. Në vitin 2023 ato kapnin shifrën prej 1.7 trilionë dollarësh. Këto shpenzime mbulojnë funksionimin e përditshëm të qeverisë federale. Gati gjysma e tyre – 805 miliardë dollarë për vitin 2023 – shkuan për buxhetin e mbrojtjes.

Pjesa e mbetur prej 917 miliardë dollarësh nga kjo kategori, financon departamentet kryesore qeveritare, Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë, si edhe funksionet e tjera të qeverisë.

Një kategori e fundit e shpenzimeve buxhetore, është ajo që paguan interesin e borxhit federal, që bie në një zonë grim, mes shpenzimeve që janë të detyruara për t’u paguar dhe buxhetit që miratohet përvit për departamentet federale.

Ndërsa qeveria teorikisht mund të zgjedhë të mose paguajë interesin e borxhit të saj, një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike për ekonominë e SHBA-së dhe atë globale. Pagesa e interesit për borxhin ishte 659 miliardë dollarë në vitin 2023.

Një strukturë e paqartë

Mbetet ende e paqartë se si do të strukturohet DOGE. Nëse ngrihet përmes një urdhri ekzekutiv, ky organizëm mund të duhet t’i nënshtrohet Ligjit për Komisionet Këshillimore Federale. Ai parashikon që të ndërmerren hapa të caktuar për të garantuar transparencë dhe ka rregulla për konfliktet e interesit. Kjo e fundit mund të jetë problematike për zotin Musk, kompanitë e ndryshme të të cilit kanë kontrata me vlerë miliarda dollarësh me qeverinë federale. Megjithatë, nëse DOGE ngrihet si një organizëm tërësisht privat, fjala e drejtuesve të të cilit thjesht ka peshë para presidentit, rregullat nuk do të vlenin për të./ VOA