Kosova Osmani ia thotë në sy Kurtit: Mos të luajmë bixhoz me aleancat...

Osmani ia thotë në sy Kurtit: Mos të luajmë bixhoz me aleancat e Kosovës me SHBA dhe BE

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nisur adresimin vjetor në Kuvend, nën bojkotin e PDK dhe AAK, të cilët janë shprehur se nuk do të marrin pjesë në seancë pasi pretendojnë se Kryetarja e Shtetit është sjellë me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues.

Në adresimin e saj vjetor, presidentja Vjosa Osmani theksoi se politika e shtetit duhet të pasqyrojë interesat afatgjata të Kosovës dhe jo ato të përkohshme që janë të lidhura me fushatat zgjedhore apo përfitime politike.

Në atë që u pa si një adresim i drejtpërdrejtë për kryeministrin Albin Kurti, i cili ndodhej ulur pas shpinës së saj, Osmani kërkoi që të mos luhet me fatin e aleancave të Kosovës me SHBA dhe BE.

“Asnjë popull nuk ia ka dal vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim, andaj rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme, historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan të kemi lirinë e shtetin asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh. Ato janë gurthemele i sukseseve tona dhe investim në një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleanca janë këtu për të na mbrojtur prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës sonë”, u shpreh Osmani.

Në vijim Osmani tha se sot më shumë se kurrë “na duhet ajo që njihet si patriotizëm kushtetues, që shkon përtej ndasive politike dhe kthehet te bazamenti i shtetësisë tonë”.

“Në thelb të patriotizmit kushtetues është besimi se kushtetuta jonë është më shumë sesa një dokument juridik. Ajo është një kontratë shoqërore që mishëron idealet dhe aspiratat tona të larta. Ajo garanton lirinë drejtësinë dhe barazinë para ligjit për të gjithë qytetarët pavarësisht dallimeve. E këtu parime nuk janë vetëm obligime ligjore, por edhe akt patriotizmi që forcon themelet e shtetit tonë. Në këto kohë të trazuara për globin kur fragmentimi dhe përçarja bëhen gjithnjë e më të dukshme besnikëria jonë ndaj parimeve të Kushtetutës sonë është ajo çfarë duhet të na bashkojë. Kjo formë patriotizmi e shndërron obligimin individual në një detyrë qytetare në funksion të mbrojtjes të rendit demokratik, në funksion të mbrojtjes së çdo pëllëmbe të Republikës sonë. Sot siguria është parakusht genësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet individual e kolektiv. Në këtë rrugëtim ajo që dëshmon më së miri zhvillimin dhe pjekurinë tonë është momenti kur sigurohemi se politikat tona të pasqyrojnë atë që është e drejtë e jo atë që është politikisht e përshtatshme. Atë që është e duhur e jo atë që tingëllon bukur. Atë që është në interes shtetëror afatgjatë e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh. Atë që e ngrit shtetin tonë lart e jo që i ngrit vetëm numrat në sondazhe. Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë. Jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë”, u shpreh më tej Osmani.

Në fjalën e saj Osmani solli në vëmendje deklaratën e saj kur propozoi që drafti i asociacionit të diskutohej me SHBA-në dhe të mos t’i lihej as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës.

“Kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë po kërkoj themelim të asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jo njohëse, kam besuar se një draft statut ku mbrohet kushtetuta, mbrohet sovraniteti, mbrohen kufijtë tanë dhe mbrohet funksionaliteti i shtetit, më mirë hartohet nga vet ne që kemi marrë mandat ta mbrojmë Kosovën, sesa nga disa “ekspertë të jashtëm”, që kurrë nuk kanë besuar në projektin e Kosovës së pavarur, sovrane e të lirë”.

Sipas saj ky propozim i saj u quajt tradhti kombëtare, dhe tregon dy pikat kyçe të këtij propozimi.

“Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur. Njësoj po ndodhë edhe këto ditë, me lloj- lloj shpifjesh të ulëta se kinse Presidentja po kërkon “nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes”. Kjo është gënjeshtër. Ajo çfarë kam thënë është që 1/ zbatimi i marrëveshjes ka kuptim vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe 2. Si alternative, si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes gjë që unë besoj se nuk do ta bëjë, edhe nëse e nënshkruan, atëherë ne do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare, garancitë e sigurisë nëpërmjet BSA-së, si dhe mbështetje për njohje të reja. Thënë troç, për mua, më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës. Shpresoj që jam mjaftueshëm e qartë”.

Në fund, Osmani është larguar pa i shtrënguar dorën kryeministrit Albin Kurti apo zëvendëskryeministres Donika Gërvalla. Dhe si zakonisht nuk pati aq buqeta me lule për të. Vetëm kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca i shtrëngoi dorën Osmanit. Ndërsa deputeti i pavarur Haki Abazi gjatë momentit të largimit të Osmanit ka bërtitur “hajna, hajna”.