Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka konfirmuar për herë të parë se Ukraina ka përdorur raketat e Perëndimit me rreze të gjatë veprimi.
Në një deklaratë publike të enjten, Putin tha se sulmi ukrainas me rreze të gjatë veprimi ka patur objektiva ushtarake brenda territorit rus.
Sipas kreut të Kremlinit, bëhet fjalë për raketa të prodhimit britanik dhe amerikan.
Putin paralajmëroi Perëndimin mbi mundësinë që Moska të godasë kombet që ndihmojnë Kievin për të sulmuar Rusinë. “Kemi të drejtën të godasim vendet perëndimore që furnizojnë Kievin me armë me rreze të gjatë”, tha Putin duke shpjeguar se nga rajonal, konflikti ka marrë elementë të një konflikti global.
“Përdorimi në konfliktin e Ukrainës i sistemeve të tilla të prodhuara nga Perëndimi ka ndryshuar në mënyrë drastike natyrën. Një konflikt rajonal në Ukrainë i nxitur nga Perëndimi ka marrë elementë të një konflikti global. Këto sisteme raketore me precizion të lartë dhe me rreze të gjatë veprimi nuk mund të përdoren pa asistencën e drejtpërdrejtë të specialistëve ushtarakë perëndimorë”, u shpreh Presidenti Putin.
Sipas kreut të shtetit rus, sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina nuk kanë bërë asnjë dëm në Rusi, pasi sipas Putinit, sistemet mbrojtëse ajrore ruse kanë shkatërruar çdo raketë.
Javën e kaluar, Ukraina mori nga SHBA aprovimin për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi.
“Përgjegjësia për përshkallëzimin i takon SHBA-së. SHBA-të bënë një gabim duke shkelur marrëveshjen për eliminimin e raketave me rreze të gjatë veprimi. Ata kanë zhvendosur sistemet e tyre raketore në rajone të ndryshme anembanë botës.
Si rezultat i përshkallëzimit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s thanë se ata japin lejen e tyre për të përdorur armë me rreze të gjatë kundër objektivave brenda Rusisë. Ekspertët e dinë plotësisht mirë, dhe pala ruse e ka theksuar herë pas here, se përdorimi i armëve të tilla pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të operatorëve ushtarakë nga vendet prodhuese është i pamundur.
Në rast përshkallëzimi, ne do të veprojmë me vendosmëri në një mënyrë të njëjtë. Elitat qeverisëse të vendeve po ushqejnë planet për të përdorur kontigjentet e tyre ushtarake kundër Rusisë duhet të paralajmërohen”, u shpreh Putin.
Putin ka konfirmuar sulmin rus në qytetin Dnipro të Ukrainës me një raketë balistike, por jo ndërkontinentale.
Ai tha se Rusia përdori me sukses një raketë hipersonike eksperimentale me rreze të mesme veprimi. Në një deklaratë pasditen e kësaj të enjteje Putin tha se raketa targetoi një nga komplekset më të mëdha industriale të Ukrainës.
“Si përgjigje ndaj sulmit në territorin rus nga raketat perëndimore: forcat e armatosura ruse filluan një sulm të kombinuar në një nga objektet e industrisë së mbrojtjes ukrainase.
Në kushte luftarake, ndër të tjera u testua një nga sistemet më të reja të raketave ruse me rreze të mesme veprimi. Në këtë rast, me një raketë balistike në pajisje hipersonike jo bërthamore. Raketorët tanë e quajtën “Oreshnik”. Testet ishin të suksesshme.
Qëllimi i nisjes u arrit. Në territorin e Ukrainës në qytetin e Dnepropetrovsk, u godit një nga komplekset industriale më të mëdha dhe më të famshme të kohës së Bashkimit Sovjetik”, deklaroi Putin.