Aktualitet Vrau bashkëmoshatarin, “arrest me burg” për 14 vjeçarin. Seanca u mbajt në...

Vrau bashkëmoshatarin, “arrest me burg” për 14 vjeçarin. Seanca u mbajt në spital

“Arrest me burg” për 14-vjeçarin i cili akuzohet se i mori jetën bashkëmoshatarit të tij duke e goditur me thikë.

Seanca gjyqësore e cila zgjati pak minuta u zhvillua në ambientet e spitalit ku i mituri ndodhet i shtruar. Kjo prej plagës që ai ka marrë me thikën që ka përdorur vetë.

Ishin togat e zeza të Gjykatës së Tiranës që morën vendimin, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës për rëndim akuze ndaj të miturit, konkretisht për “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.

Ngjarja e rëndë ndodhi të Hënën më 18 Nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Pas një sherri me thika për motive banale, mbeti i vrarë një 14 vjeçar.

Ky rast shkaktoi një reagim masiv tek qytetarët e jo vetëm, të cilët kanë zhvilluar edhe protestë ditën e djeshme. Ata kanë parashtruar një sërë kërkesash ndaj qeverisë, që nga dorëheqja e ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu e deri te krijimi i një sistemi më efektiv të raportimit të rasteve të tilla konfliktuale mes të miturve në shkolla.

Theksojmë 12 vite heqje lirie është maksimumi i dënimit që mund të jepet nga një Gjykatë në vendin tonë, nëse autori i krimit është i mitur. Dhe kjo, sipas Kodit Penal për të Miturit, nëse ai është nga 14 deri në 17 vjeç. Aplikimi i dënimeve me burgim për këtë moshë bëhet vetëm nëse vepra penale e kryer parashikon një dënim me minimum 7 vite heqje lirie, përcaktim ky që në rastin e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” plotësohet pasi vepra e kryer kategorizohet tek më të rëndat.