Bota Raketa Oreshnik, arma e re e Putin që Kievi nuk mund ta...

Raketa Oreshnik, arma e re e Putin që Kievi nuk mund ta rrëzojë: Një mesazh për NATO-n

Konflikti në Ukrainë po merr një dimension të ri pas përdorimit nga Rusia të një sistemi raketor të panjohur për Perëndimin, që quhet “Oreshnik”, i cili po shkakton shqetësim në radhët e NATO-s dhe aleatëve.

Sulmi në Dnipro u shoqërua me një fjalim të presidentit rus Vladimir Putin, duke ngritur shqetësime serioze për ecurinë e luftës. Testi i raketës specifike, siç e përshkroi ai, dhe shpejtësia me të cilën po përshkallëzohet tensioni në rajon, përforcojnë frikën e një përshkallëzimi të mëtejshëm me pasoja globale.

Në fjalimin e tij, Putin e cilësoi përdorimin e raketës ‘Oreshnik’ me aftësi bërthamore, si një provë rutinë brenda konfliktit.

“Federata ruse testoi një raketë balistike me rreze të mesme, të njohur si Oreshnik, gjatë operacionit të saj në Ukrainë”, tha ai.

Ai ofroi pak detaje teknike rreth sulmit. Analistët thanë se përdorimi i raketës dhe fakti që Putin e pranoi sulmin, duket se synojnë t’i tregojnë NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara aftësitë ushtarake të Rusisë.

Kjo shënoi herën e parë që Rusia pranon hapur përdorimin e një rakete të tillë gjatë luftës.

Injoranca e Perëndimit për karakteristikat e kësaj arme hipersonike dhe retorika kërcënuese e Putinit shtojnë ndjenjën e pasigurisë dhe presionit diplomatik.

Me ato pak informacione që dihen për arsenalin ushtarak të Rusisë ,  raketat “Oreshnik” janë një nga sistemet raketore më të avancuara që Moska ka zhvilluar gjatë pesë viteve të fundit.

Këto raketa i përkasin gjeneratës së re të raketave me rreze të gjatë veprimi, por jo të rrezes ndërkontinentale, siç u njoftua zyrtarisht nga Kievi pak orë pas lëshimit të saj.

Në fakt insistimi ukrainas, duke qenë se edhe Presidentit Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij i mëshoi faktit se raketa ishte ndërkontinentale, solli edhe reagime perëndimor, kryesisht nga analistë, të cilët theksuan se raketa me koka të shumta që goditi Dnipron nuk i përket kësaj kategorie sistemesh.

“Oreshnik”  është gjithsesi një nga armët, karakteristikat dhe dinamika e të cilës aktualisht i mungojnë Perëndimit. Sipas asaj që deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, dhe raportohet nga mediat ruse, përparësia kryesore e këtyre raketave është shpejtësia me të cilën ato godasin objektivat e tyre gjatë zbritjes.

Më konkretisht, “Oreshnik” fluturojnë me një shpejtësi prej 2 deri në 3 kilometra në sekondë, gjë që praktikisht i bën ato përtej supersonikes dhe “të padukshme” për sistemet e mbrojtjes ajrore, të cilat Kievi i ka vendosur aktualisht, kryesisht rreth qendrave të mëdha urbane dhe njësive kryesore energjetike.

“Oreshnik-ët” i përkasin “familjes” së armëve hipersonike pasi godasin në fakt me shpejtësi që kalon 10.800 km/h dhe bëjnë pjesë në kategorinë që përfshin raketat që lëvizin me shpejtësi nga 6.100 km/h deri në 12.300 km/h.

“Oreshnikët” kanë gjithashtu aftësinë e mbajtjes së kokave të shumta luftarake dhe nuk janë ndërkontinentale, por me rreze të gjatë pasi udhëtojnë në një distancë jo më shumë se 900 kilometra. Ajo që është gjithashtu e sigurt bazuar në fjalët e Putinit është se goditja në Dnipro është e para që Rusia ka tentuar me këtë sistem të veçantë të armëve.

Në fakt,  Vladimir Putin e quajti atë një “test”, që është më shqetësuesja nga zhvillimet e 5 ditëve të fundit. Nëse Rusia ka marrë vendimin për t’iu përgjigjur sulmeve balistike perëndimore në territorin e saj edhe duke përdorur armë nën provë, atëherë përshkallëzimi ka të ngjarë të ketë dimensione që Perëndimi dhe Kievi sot nuk duket se i kanë llogaritur.