Politika Berisha shpall ndryshimin rrënjësor në programin e PD

Berisha shpall ndryshimin rrënjësor në programin e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një konferencë për shtyp këtë të premte ku shpalli një ndryshim rrënjësor në programin e selisë blu.

Ai tha se PD parashikon në programin e saj një ndërhyrje të fuqishme dhe përmbysje në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.

Ai theksoi se vendi është sot në përqindjen më të lartë të varfërisë për shkak të plaçkitjes masive të të ardhurave dhe burimeve natyrore.

“Sot, jam para jush për të shpallur publikisht para shqiptarëve një ndryshim rrënjësor në programin e Partisë Demokratike. Ky ndryshim rrënjësor i programit të PD parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri. Të dashur qytetarë dhe qytetare, shoqëria shqiptare sot është e ndarë me një hendek të tmerrshëm midis një pakice që pasurohet në mënyrë të papërmbajtur dhe pothuaj një shumice tjetër që varfërohet frikshëm gjithnjë e më shumë…

Kemi shpallur para jush minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar. Kemi shpallur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë. Rritjes së pensioneve mbi bazën e 200 eurove të minimumit jetik. Kemi shpallur heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë”, tha Berisha.

Por ai shtoi se analiza e këtyre masave tregon se janë të domosdoshme edhe një seri masash të tjera.

“Rikujtoj shqiptarët se italianët karshi nesh kanë nivelin e varfërisë ndën 780 euro, por u rikujtoj gjithashtu se italianët blejnë ushqimet në dyqanet e tyre më lirë se shqiptarët. Më lirë se shqiptarët, të cilët vetëm për ushqimet shpenzojnë 40 përqind të të ardhurave të tyre. Pra, unë nuk them se shqiptarët do arrijnë nivelin e italianëve, jo, nuk është ky synimi. Por synimi është një rishpërndarje tërësisht tjetër e të ardhurave dhe pasurive natyrore. Në qoftë se sot 80 përqind e të ardhurave shkojnë për t’u vjedhur nga qytetarët në investime kapitale, kjo shifër do të harrohet. Përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit”, njoftoi Berisha.

Sipas skemës së re të parashikuar nga PD, shteti do të marrë përsipër sasinë jetike të energjisë për një familje me rrogë minimale.

“Ndaj dhe një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë do përgatisin për PD-në skemën e re të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike. Kjo është skemë emergjence”, tha Berisha në fjalën e tij.