Altin Dumani, kreu i SPAK-ut, në një intervistë për RTSH-në në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’, bëri të ditur se nuk impresionohet nga sulmet e politikanëve, ndaj tij, dhe punës.
Ai nënvizoi se ngarkesa që ka në punë e bën thuajse të pamundur që të ndjekë deklaratat politike kundër tij dhe punës që ai kryen.
“Është hera e parë që i dëgjoj deklaratat. Kam informacion, sepse stafi i ngushtë më informon. Por vetë, për shkak të kohës së kufizuar që kam në dispozicion, pasi është e mbushur e tëra me punë, nuk kam kohë që të merrem e që ti ndjek. Jemi të vëmendshëm ndaj denoncimeve për afera të dyshuara për korrupsion nga kushdo që bëhen. Pjesën tjetër nuk kam kohë që t’i ndjek me zë dhe figurë. Unë kam një qëndrim indiferent ndaj deklaratave të tilla. Çdo ditë e jetës sime që kur kam futur këmbët në organin e prokurorisë, është që kujdesem që të zbatoj ligjin. Sulmet politike nuk parapëlqej t’i komentoj. Jam shumë i ftohtë ndaj këtyre deklaratave politike. Është zgjedhja ime që ti anashkaloj”, tha Dumani.
Dumani, iu është përgjigjur edhe akuzave, sipas të cilave, SPAK-u vepronin mbi bazën e një agjende politike, dhe se ka grafik në hetimin e çështjeve të ndjeshme të personave me profil të lartë politik.
“Një pjesë të dosjeve i kam pasur në hetim edhe pa marrë drejtimin e SPAK-ut. Një nga premtimet që kam bërë në KLP ka qenë se do të vijoja të hetoja çështjet që kam pasur në hetim. Ka dhe çështje të tjera që kanë çuar në zgjerimin e grupit të hetimit. Të gjithë prokurorët dhe stafi kanë kontribute. Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik. Në merremi me provat. Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë. SPAK-u është i pavarur nga politika dhe këtë ja jep Kushtetuta dhe ligji. Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre të larguar nga politika. Reagimet e mija janë institucionale dhe jo emocionale. Kam kompetenca, por ato janë të reduktuara në raport me prokurorët e çështjeve”, tha Dumani.