Kryesore “Po vjen koha e kthimit në atdhe”, Rama: Fitorja e ardhshme duhet...

“Po vjen koha e kthimit në atdhe”, Rama: Fitorja e ardhshme duhet të jetë përfundimtare, të çlirojmë opozitën nga pengmarrësit

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Londra votën e shqiptarëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pikërisht nga kryeqyteti britanik, ai tha se “fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një fitore përfundimtare”, sipas tij “edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga pengmarrja“.

“Nëse ju, shqiptarët e botës së lirë do të merrni pjesë masivisht në zgjedhjet e ardhshme dhe do t’i shtoni peshën e vendimmarrjes tuaj shumicës së shqiptarëve të Shqipërisë, për Shqipërinë 2030, shtet europian në BE, atëherë po ju them, përballja e ardhshme elektorale nuk do të jetë vetëm vendimtare, por do të jetë përfundimtare! Pa kthim të mundshëm mbrapa për shtet bërjen dhe progresin, për drejtësinë dhe ekonominë. Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet dhe unë kam besimin që nuk do jetë, fitorja e radhës e një partie ndaj të tjerave. Por duhet të jetë triumfi i një vizioni për botën, duhet të jetë triumfi i një kuptimi për vlerat njerëzore të respektit”.

“Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë një fitore jo një fitore vendimtare, por një fitore përfundimtare, edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga peng marrja për hallet e disa udhëheqësve të diskretituar nga historia”, tha Rama.

Sipas kryeministrit Edi Rama “fluksi” i emigrantëve shqiptarë drejt shteteve të huaja, sa vjen e ulet, duke theksuar se po vjen periudha e kthimit në atdhe.

“Baticës së gjatë të largimeve, për arsye që nuk kanë të bëjnë me ato që thuhen, por janë pjesë e trendit historik të lëvizjeve. Asaj batice po i afrohet fundi dhe koha e zbaticës e koha e kthimeve po vjen pak e nga pak. Unë dje takova një mjek që punon këtu në Londër, më tha dua të kthehem të punoj për Partinë Socialiste të 2030-ës, i thashë që politika është mision i vështirë. Më tha s’kam ça mendoj, tani dua të ndihem gjallë, në dispozicion dhe i dobishëm për më shumë sa jam mësuar të bëj. Të ktheheni për të pasur dy shtëpi, për të pasur atje një shtëpi të denjë për ëndrrën tuaj, për Shqipërinë dhe për ata të vegjlit që flasin shkëlqyem anglisht, kur t’i merrni për dore t’ju thonë: Dad, mom i am proud of you, I am proud of my country.”

Duke kërkuar votëbesimin, Rama theksoi se flamuri shqiptar do rreshtohet në Bruksel pranë familjes europiane.

“Le ta vazhdojmë sëbashku këtë rrugë, të vetëdijshëm për të metat dhe gjithçka na mungon e që duhet ta adresojmë me forcën e bashkuar të mendjes e zemrës dhe ta ndajmë mendjen që flamurin e Ismail Qemalit e Skënderbeut, që na bën të këndojmë të gjithë sëbashku ta mbajmë çdo ditë në zemër e në mendje dhe të mos lejojmë askënd ta ulë poshtë, por ta rreshtojmë në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar evropiane”, tha Rama.