Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile, duke theksuar se ky bashkëpunim sjell përfitime për të dyja palët. Ai ka theksuar se SPAK është e hapur për të bashkëpunuar në të ardhmen mbi tematika të ndryshme që kanë interes të përbashkët.
Në këtë konferencë, Dumani theksoi se problematika më shqetësuese nuk janë subjektet e shkarkuara nga vetingu, por ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit.
“SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Kushtetueses, të Gjykatës se Lartë, të KPA, prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm, apo oficerë të policisë gjyqësore. Shqetësimi më i madh për SPAK nuk janë subjektet e shkarkuara, por ata që kanë kaluar këtë proces dhe vijojnë të ushtrojnë funksionin.
Problem është që janë në sistem dhe kanë premisa për të kryer veprime korruptive. Secili institucion të përmbushë detyrimet e veta. I bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv të gjyqtarëve apo prokurorëve. Institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit duhet të jenë aktive dhe të furnizojnë SPAK me informacion”, tha Dumani.