Kryesore “1 milionë faqe shqip në SKY”, Berisha kërkesë BE: Shtoni presionin, po...

“1 milionë faqe shqip në SKY”, Berisha kërkesë BE: Shtoni presionin, po përpiqen të delegjitimojnë përgjimet në Kushtetuese

Sali Berisha është shprehur se në Shqipëri po hidhen miliona euro nga organizatat kriminale, për të delegjitimuar përgjimet e kriptuara në aplikacionin ‘Sky ECC’.

Përmes një deklarate për mediat, Berisha tha se këtë ata kërkojnë ta arrijnë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe sipas tij, në këtë lojë është përfshirë edhe Dumani.

Ai kërkoi krijimin e ‘Komisionit të së Vërtetës’ dhe i kërkoi BE-së që të ushtrojë presion që kjo të mos ndodhë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Siç theksova me sipër, Sky ECC përdoret intensivisht në gjuhën shqipe dhe luan një rol qendror në rrjetet kriminale. Bisedat dhe mesazhet e regjistruara ne gjuhe shqipe të transkriptuara arrijnë në rreth pothuaj 1 milion faqe. Fakti që Tirana është një qendër kryesore për këto aktivitete – madje brenda ndërtesave qeveritare – thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe masave të rrepta ne administrimin e tyre. Prandaj Partia Demokratike ka kërkuar krijimin e një Truth Commission, Komisioni i të Vërtetës për të bërë transparencën e plotë të lidhjeve të politikës me krimin, që siç provojnë këto regjistrime, janë një sipërmarrje e përbashkët kriminale. Përkundrejt këtij qëndrimi, po bëhen përpjekja të papërmbajtura nga organizatat kriminale, qeveria dhe vetë prokuroria speciale për të minuar ligjshmërinë e këtyre dokumenteve të përgjimit në Shqipëri dhe t’i deligjitimojnë ato nëpërmjet Gjykate Kushtetuese.

Ndaj kësaj gjykate, organizatat kriminale kanw vendosur shumë miliona euro, presione të mëdha po ushtrohen nga zyrtarë dhe qeveritarë që kanë përdorur telefonat e kodifikuar.

Së fundi, po në këtë linjë, vlerën e tyre ligjore e vuri në dyshim edhe kreu i prokurorisë speciale duke u shprehur se ka probleme midis legjislacionit francez (që i ka pranuar ato) dhe legjislacionit shqiptar, duke vetëkuptuar kështu paligjshmërinë e tyre në Shqipëri.

Kjo deklaratë e kryeprokurorit të prokurorisë speciale, Altin Dumani bëhet jo vetëm pasi gjykatat në Gjermani, Francë i kanë konsideruar dokumente ligjërisht të vlefshme, por edhe pasi Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i njohu ato si ligjërisht të vlefshme.

Shtoj këtu se vendimet e kësaj gjykate prevalojnë mbi sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, në përputhje me firmosjen që i ka bërë Shqipëria Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Këto përpjekje rrezikojnë jo vetëm luftën kundër organizatave kriminale të organeve të zbatimit të ligjit, por vënë në pikëpyetje gjithashtu integritetin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kjo është një mundësi për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Gjermaninë, të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve shqiptare. Një veprim i përbashkët dhe vendimtar mund të sigurojë që këto masa të vazhdojnë të njihen ligjërisht dhe të jenë efektive ashtu si ç’ka vendosur së fundmi edhe GjNDNJ.

Mbrojtja e qytetarëve tanë nga krimi i organizuar duhet të jetë prioriteti kryesor dhe baza ligjore për përdorimin e masave të përgjimit nuk duhet në asnjë mënyrë të dobësohet nga bota e krimit.