Aktualitet Dosja “Partizani”, shtyhet seanca paraprake për Berishën. Gjokutaj: Strasburgu ka kaluar për...

Dosja “Partizani”, shtyhet seanca paraprake për Berishën. Gjokutaj: Strasburgu ka kaluar për debat ankimimin tonë

Seanca paraprake ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerëve për dosjen “Partizani” është shtyrë për në muajin dhjetor.

Vendimi u mor sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas avokatit të ish-kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj, seanca paraprake do të zhvillohet në datë 16 dhjetor.

Shkak, sipas tij, është bërë materiali voluminoz që duhet të shqyrtohet nga palët e tjera të akuzuara në proces.

Ndërkohë, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se ankimi i bërë nga ai për çështjen e ligjshmërisë së masës së sigurisë së dhënë ndaj kryetarit të PD është kaluar për debat në Gjykatën Europiane të të Drejtave të njeriut në Strasburgu.

“Strasburgu ka kaluat për debat ankimin e bërë nga ne për masat e sigurisë ndaj Berishës. Çështja ka kaluar në filtra në kohë rekord. E kanë konsideruar si çështje prioritare”, tha Gjokutaj teksa dilte nga godina e SPAK.