Aktualitet Detaje nga operacioni i SPAK/ Arrestohet në Milano “truri financiar” i organizatës...

Detaje nga operacioni i SPAK/ Arrestohet në Milano “truri financiar” i organizatës së Suel Çelës

SPAK ka goditur sot një organizatë kriminale, bosët dhe anëtarët e së cilës dyshohet të jenë favorizuar nga njerëz të drejtësisë, zyrtare policie dhe gazetarë.

Një megaoperacion i SPAK u pasua nga 21 masa sigurie, 18 prej të cilave janë “arrest me burg”. Mes të arrestuarve është edhe biznesmeni Bujar Shega, i cili është arrestuar në Milano.

Bujar alias Marsel Shega është administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green.

Shega konsiderohet si truri financiar i organizatës kriminale që drejtohet nga Suel Çela, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.

Kompanitë e Shegës kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë. Përmes kompanive të tij, dyshohet se Shega pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë dhe një grup të fuqishëm me bazë me Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.

Ndërkohë Suel Çela një prej emrave më të njohur të botës së krimit, i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.

Në bazat dhe bizneset e të shumëkërkuarit në Elbasan është ushtruar kontroll ku janë marrë dokumenta dhe prova të tjera.

Në pranga përfundoi ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën masën e arrestit në shtëpi, në kuadër të aksionit “Plumbi i Artë 2”, ndërsa është caktuar masë e re sigurie për ish-zyrtarin e policisë, Dedan Gjoni.

Në arrest shtëpi edhe dërguar avokatja e një prej anëtarëve të grupit të Suel Çelës. Me kërkesë të SPAK, gjykata ka caktuar masën e detyrimit për paraqitje për dy gazetarë.

SPAK njoftoi se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë është në vijim dhe po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare.

Goditja e organizatës kriminale ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SkyEcc, si dhe provave të tjera të sjella nga autoritetet belge, të cilat kanë hetuar prej vitesh në trafikun e kokainës dhe pastrimit të parave.