Një histori si nëpër filma është regjistruar në Uells, ku Halfina Eddy-Evans pasi hodhi aksidentalisht në kosh hard-diskun e ish-partnerit të saj James Howells është penduar, kur ka mësuar se ai vlente 682 milionë euro, pasi përmbante kodin për Bitcoins.
James tani po lufton për të marrë një leje që do t’i jepte atij mundësinë për të kërkuar në vendgrumbullimin e mbetjeve për hard-diskun që e bën atë milioner.
Ai kishte nisur të blinte Bitcoin që në vitin 2009 dhe ndërkohë e kishte harruar plotësisht llogarinë e tij me kriptomonedha. Pasi zbuloi se sa vlejnë tani 8 mijë Bitcoin-ët e tij, ai dëshiron që të gjejë hard-diskun, por Halfina thotë se e ka hedhur në kosh, por me kërkesën e tij.
Disku përfundoi në plehra nëntë apo dhjetë vjet më parë dhe çifti u ndanë ndërkohë. Pasi James eksperimentoi me kriptomonedha për javë të tëra në vitin 2009, ai ndaloi së bëri atë pas ankesave nga Halfina. Kompjuteri me të cilin kishte blerë Bitcoins ishte në dhomën e gjumit, kështu që partnerja kishte shprehur shqetësim për zhurmën e ventilatorit ndërsa flinte.
Pas kësaj, James i shiti komponentët për pjesë, por e mbajti hard-diskun. Ai më vonë transferoi të gjitha fotot dhe muzikën nga ai në kompjuterin e ri, megjithëse nuk mundi të transferonte skedarin e vogël që përmban kodet e Bitcoin sepse nuk ishte i pajtueshëm me sistemin operativ Apple. Ai shprehet për mediat britanike se e futi diskun në një sirtar dhe e harroi.
Halfina tani shpjegon për një tabloid britanik se disku u gjet në një qese të zezë së bashku me mbeturina të tjera, të cilat ish-partneri i saj ia kërkoi që t’i hidhte tutje. “Po, ia hodha plehrat, vetë ma kërkoi. Nuk e kisha idenë se çfarë kishte në çantë, me dëshirë e lashë në landfill. Duhej të ishte përgjegjësia e tij, por doja të ndihmoja. Shpresoj ta gjejnë sepse do ta mbyllë gojën, nuk dua asnjë cent nga paratë e tij. Unë jam e sëmurë dhe e lodhur duke dëgjuar për të, nuk është faji im që ai e humbi atë!”, tha Halfina për Daily Mail.
Landfilli tani drejtohet nga këshilli i Newport-it dhe ata refuzuan t’i jepnin James lejen për të kërkuar në këtë zonë, duke përmendur lejen mjedisore dhe efektet e mundshme negative në mjedis.
Ai u ka ofruar edhe një donacion prej 10% të të ardhurave nga Bitcoin-et e gjetura, por ata nuk kanë pranuar. James sakaq ka nisur procedurat ligjore dhe kërkon dëmshpërblim prej 593 milionë eurosh për “privimin e pasurisë”.
Landfilli mban më shumë se 1.4 milion ton mbeturina, por James thotë se ka ngushtuar vendndodhjen e diskut në një zonë që përmban 100,000 tonë. “Ky problem nuk do të largohet kurrë, unë do të jem gjithmonë në kërkim të thesarit sepse ai po bëhet më i vlefshëm çdo ditë e më shumë”, tha James për Fortune.
Vlera e Bitcoin së fundmi arriti në 80 mijë dollarë, që është një rritje prej 80% këtë vit dhe rekordi më i lartë që nga krijimi i tij.