Aktualitet “Të zbardhet ngjarja dhe të largohet Manastirliu”/ Qytetarët sërish protestë për vrasjen...

“Të zbardhet ngjarja dhe të largohet Manastirliu”/ Qytetarët sërish protestë për vrasjen e 14-vjeçarit

Një javë pas ngjarjes së rëndë ku u vra pranë shkollës Fan Noli 14-vjeçari Martin Cani, prindër, nxënës, përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë sërish sot para ministrisë së Arsimit ku kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.

“Ministria e turpit!…Ministria e turpit!”. Me këto thirrje avokati Gentian Serjani iu drejtua qytetarëve në protestën e dytë pas vrasjes së 14-vjeçarit, për mosreagimin e këtij institucioni. Në listën e kërkesave e para është ajo ndaj partive politike që të mos e përdorin vrasjen e 14-vjeçarit për debat politik, ndërsa kërkon hetim transparent për ngjarjen pas deklaratës së babit të djalit të plagosur për përfshirjen e të tjerë personave në këtë ngjarje

“I bëj thirrje partive politike mos e përdorni ngjarjen për debatin tuaj politik! Siguria e jetës së fëmijëve tanë nuk mund të jetë ngjarja e radhës për përpalljen e tyre politike.

Së dyti kemi parë sesi babai i djalit të plagosur ka deklaruar se ngjarja është ndryshe nga ajo që ka deklaruar policia. I bëj thirrje organit të hetimit që të bëjë hetim transparent mbi ngjarjen është e vetmja mënyrë që ne të ngushëllojmë babain dhe familjen e Martinit”.

Sipas tij, kjo ngjarje duhet të kthehet në emergjencë kombëtare dhe i bëri thirrje ministrisë së Arsimit që të hartojë një plan për të parandaluar ngjarje të tilla, ndërsa kërkoi më shumë psikologë në shkolla dhe rojet të mos paguhen nga prindërit.

“Së treti i bëj thirrje qeverisë dhe Ministres së Arsimit duhet me patjetër që ngjarja të jetë alarm për ta kthyer problematikën në emergjencë kombëtare. Nuk mund të presim një tjetër rast e humbje jete te fëmijët tanë. Duhet patjetër një strukturë nga disa institucione dhe prindër që të analizojnë e të nxjerrin një plan sesi mund të parandalohen ngjarje të tilla

Thirrja ime është për Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë: Nuk duhet që rojet të paguhen akoma me lekët e prindërve. Duhet që nga kjo ministri të përcaktohen oficerë sigurie që të parandalojnë situata të tilla dhe të rishikohet detyra dhe roli i oficerëve të sigurisë në shkolla.

Do të dija të kishim më shumë psikologë në shkolla, dhe kjo realizohet me rritjen e buxhetit. Nuk mund të harxhojmë më shumë lekë për të burgosurit sesa për fëmijët tanë”.

Ai u bëri thirrje edhe prindërve të pranishëm në këtë protestë që të jenë vigjilentë dhe t’u kërkojnë llogari strukturave të shkollës, këshillit të prindërve dhe bordit drejtues.

“Thirrja imë është për çdo prind në këtë takim; të jeni më vigjilentë kur bëhet fjalë për strukturat që ndodhen në institucionin arsimor. Sot kemi dëgjuar që në shkollën ku ndodhi ngjarja ka patur 3 përplasje të fëmijëve brenda ditës. Një në orën 8:00, e dyta në 10 dhe 13 u krye vrasja. Kërkoni llogari këshillit të prindërve, bordit të shkollës, t’i vëmë para përgjegjësisë. Nëse u kërkojmë llogari këtyre strukturave do të vëmë në lëvizje të gjitha strukturat për të kërkuar të drejtat e fëmijëve tanë”.