Aktualitet Zbardhet atentati me snajper ndaj Ardian Çapjas, porosinë e dha Suel Çela,...

Zbardhet atentati me snajper ndaj Ardian Çapjas, porosinë e dha Suel Çela, dyshohet se ka qëlluar Prekë Kodra

SPAK ka dhënë sot informacion zyrtar për operacionin dhe urdhrat e arrestit të ekzekutuar dje ndaj anëtarëve të bandës së Suel Çelës.

SPAK ka arritur të zbardhë edhe atentatin me snajper ndaj Ardian Çapjas, për të cilin akuzohet Suel Çela si porositës, ndërsa pas këmbëzës dyshohet se ka qenë Prekë Kodra.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eliminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 është dokumentuar vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, Ardian Çapja, në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit”, njoftoi SPAK

Veprat penale të dyshuara:

“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të Ardian Çapja, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.

“Grup i strukturuar kriminal”.

“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.

“Shpërdorim detyre”.

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.