Kryesore Shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesit te sheshi “Willson”

Shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesit te sheshi “Willson”

Gaz lotsjellës dhe ujë me presion është përdorur nga policia për të shpërndarë protestuesit që janë mbledhur te sheshi “Willson” prej orës 17:00.

Në krye të këtij grupi protestues qëndron kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili disa herë është shprehur në komunikimet për mediat se bllokimi i rrugëve prej tyre është i ligjshëm pasi kanë njoftuar policinë për tubimin.

Megjithëse disa deputetë të opozitës si Bledjon Nallbati, Lefter Gështenja, Luan Baçi, por edhe Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi, arritën të bllokonin për disa minuta autobotin me ujë, madje duke u ngjitur mbi makinën që përdoret nga policia kundër protestave.

Por në momentin që u hodh gaz lotsjellës, deputetët u larguar dhe nga autoboti u lëshua ujë me presion, duke detyruar protestuesit që të largoheshin nga rruga.

Duket se tashmë policia ka vendosur që në të pesta kryqëzimet ku po protestohet të shpërndajë turmat përmes formave të ndryshme.