Politika Gati kthesa politike djathtas në Parlamentin Europian?

Gati kthesa politike djathtas në Parlamentin Europian?

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe kreu i Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber në Parlamentin Evropian

Parlamenti Evropian miraton të mërkurën Komisionin e ri të BE-së – kjo konsiderohet e sigurt. Por pakënaqësitë në lidhje mes grupeve parlamentare në PE nuk janë shuar.

Sigurisht që gjatë votimit të mërkurën mund të ndodhin surpriza, sidomos në Parlamentin Europian, ku deputetëve të parlamentit nuk u pëlqen shumë t’i nënshtrohen disiplinës së grupit parlamentar. Por nëse komisioni i dytë i Ursula von der Leyen nuk do të merrte shumicën sot, do të ishte një surprizë e madhe. Miratimi i Komisionit të ri Evropian konsiderohet i sigurt, sepse liderët e Partive Popullore Evropiane, EPP, si edhe Socialdemokratët dhe Liberalët kanë rënë dakord për të. Deputetët e tyre së bashku përfaqësojnë më shumë se sa shumica e thjeshtë e nevojshme e të pranishmëve.

Gjashtë javë debate në Parlamentin Europian

Komisionerët individualisht nuk mund të refuzohen më të mërkurën, bëhet fjalë për të gjithë Komisionn e BE-së, me Ursula von der Leyen në krye. Një gjë është e sigurt: mandati i saj i dytë nuk do të jetë më i lehtë se i pari, dhe ndoshta edhe më i vështiri. Kjo për shkak të luftës së ashpër që grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian kanë zhvilluar prej javësh.

Pikë debati është çështja se sa në të djathtë mund të anojë politikisht shumica e re me të cilën Komisioni vjen në detyrë. Sidoqoftë dukshëm më djathtas se më parë, është i mendimit, Manfred Weber. Politikani i CSU-së dhe kryetari i PPE të Evropës i sheh këto parti të forcuara pas zgjedhjeve evropiane. Grupi parlamentar i PPE ishte grupi më i madh në Parlamentin Evropian, por që atëherë hendeku me socialdemokratët është bërë edhe më i madh.

Sipas Weber-it, kjo duhet të ketë efektet e veta. “Votuesit duan një ndryshim drejtimi,” shprehet ai. “Ata nuk ia dhanë votën Të Gjelbërve në Parlamentin Evropian”. Por kjo nuk është edhe aq dramatike, Të Gjelbrit kanë ende 53 vende në Parlamentin Evropian – por ata pësuan humbje të mëdha, me rreth 20 vende. Weber përpiqet të krijojë aleanca pa të Gjelbrit, për këtë mban kontakte edhe më partinë e Giorgia Melonit në Itali, që për disa historianë dhe politologë konsiderohet si post-fashiste. Një politikan nga partia e Melonit, “Vëllezërit e Italisë”, Raffaele Fitto do të jetë komisioner i BE. Fitto gëzon reputacion si politikan për çështjet evropiane, por mënyra se si u shty kandidatura e tij shkaktoi zemërim tek deputetët e majtë dhe të qendrës.

Paralajmërimi nga grupet e tjera parlamentare

Në radhët e Socialdemokratëve evropianë, për shembull, deri në fund ishte e paqartë, nëse do duhet të votonin për komisionin apo jo. “Manfred Weber dhe grupi demokristian po ndjekin një kurs të rrezikshëm”, u shpreh kreu i Socialdemokratëve në Parlamentin Europian, René Repasi. Ai kritikoi ashpër faktin që Weber ka sjellë në mënyrë të përsëritur shumica të arritura me politikanët e krahut ultra të djathtë gjatë muajve të fundit. Njëherë madje e lejoi grupin e Partive Popullore Evropiane të votonte për një mocion nga AfD mbi politikën e migracionit.

Kurse të Gjelbrit duan qëndrueshmëri. “Ne kemi nevojë për një mur mbrojtës”, u shpreh bashkëkryetarja e Të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Terry Reintke. Eurodeputetja nga zona e Ruhr-it beson se është e gabuar që kristiandemokratët të hyjnë në një aleancë me forcat ultra të djathta për të arritur qëllimet e tyre politike. Megjithatë Të Gjelbrit do ta votojnë Komisionin e ri Evropian. Vendimtare është të garantohet aftësia vepruese e BE.

Përmbledhje e “tagesschau”, Helga Schmidt/ARD