Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është liruar nga masa “arrest shtëpie’, ku qëndroi gati 11 muaj, që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Genc Gjokutaj, përmes një deklarate për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore.
“Mbi bazën e kërkesës sonë sot gjykata revokoi masën e “arrestit të shtëpisë” si një masë që nuk ka as kushte as kritere për caktimin e saj. Nga sot Zoti Berisha është i lirë. Kërkesa ishte vetëm për zotin Berisha. Nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi. Tani unë jua thashë. Unë nuk mund të relatoj dosjen, por po ju them që gjykata konstatoi që për zotin Berisha nuk qëndrojnë më kushtet dhe kriteret për caktimin e asnjë lloj mase sigurimi, mos harroni që jemi në kërkimin paraprak. Prokuroria kërkoi që të mbetej në arrest shtëpie sigurisht”, tha Gjokutaj.
SPAK ka kërkuar vazhdimin e masës së sigurisë, ndërsa gjyqtarja gjyqtarja Fjorera Davidhi ka vlerësuar se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen e Berishës në masën e “arrestit në shtëpi”.
Kujtojmë se masat ndaj Berishës u vendosën me akuzat për korrupsion për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.