Aktualitet Balluku inspekton punimet në lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës:...

Balluku inspekton punimet në lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës: Gati brenda vitit

Nis hedhja e shtresave asfaltike në lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. Me një gjatësi prej afro 2 kilometrash ky lot pritet të jetë gati brenda pak ditësh, ku pas përfundimit të shtresave asfaltike do të punohet për vendosjen e sinjalistikës rrugore.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.

“Ky proces është relativisht i shpejtë, nuk do na marrë shumë kohë për përfundimin e të gjithë shtresave asfaltike, ndërkohë po vijojmë dhe me elementët e tjerë si vendosja e barrierave anti zhurmë në këtë seksion rrugor”, sqaroi kreu i ARRSH.

Për realizmin e projektit në këtë lot ka pasur disa kompleksitete, duke nisur me procesin e shpronësimeve për shkak se shumë prej njësive të banimit ishin pa dokumente, gjithashtu ka pasur një prezencë të madhe të linjave të transmetimit dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike të cilat u zhvendosën përmes ndërhyrjes së OST dhe OSHEE.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi se ritmi i punimeve, në lotin 7, por edhe lotet e tjera është i lartë për të garantuar që Unaza e Madhe e Tiranës të jetë e aksesueshme për automjetet në fund të këtij viti.

“Rëndësi ka që të gjitha lotet të jenë të gatshme për akses të automjeteve, duke pasur të përfunduar edhe pjesën e sinjalistikës, edhe pjesën e barrierave të zhurmës dhe gjithçka tjetër e cila është e domosdoshme. Padyshim do të ngelen detaje të vogla të cilat ne do të vazhdojmë që ti plotësojmë, por e gjithë kjo pjesa e paketës së madhe duhet të jetë e përfunduar për datën 31 dhjetor që gjithë kjo unazë tashmë të lidhet, duke pasur parasysh që kemi pasur një progres të mirë edhe në pjesën e “Pallatit me Shigjeta”, aty ku janë nyjet lidhëse dhe ajo është një nga nyjet më të rëndësishme”, nënvizoi Balluku.