Bota Zelensky: Armëpushim nëse futemi nën ombrellën e NATO. Për territoret e pushtuara...

Zelensky: Armëpushim nëse futemi nën ombrellën e NATO. Për territoret e pushtuara mund të negociojmë më vonë

Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pranon për herë të parë se një marrëveshje armëpushimi me Moskën mund të arrihet nëse territori i vendit që kontrollohet prej Kievit vendoset “nën ombrellën e NATO-s” në mënyrë që të ketë mundësi që të negociojë më vonë edhe kthimin e pjesës tjetër me anë të negociatave.

Në një intervistë për rrjetin britanik Sky News, presidenti ukrainas u pyet mbi raportimet e mediave se Trump ka në plan t’i ofrojë Kievit anëtarësimin në NATO në këmbim lëshimit të territoreve të pushtuara nga Rusia.

“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të fusim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë. Ne duhet ta bëjmë atë shpejt. Dhe pastaj territorin e pushtuar, Ukraina mund ta kthejë në mënyrë diplomatike“, tha Zelensky.

Kjo është hera e parë që Zelensky pranon të negociojë ndaljen e luftës duke vënë në tavolinë çështjen e territoreve të pushtuara gjë që në të kaluarën ishte një vijë e kuqe që ia ndalonte kushtetuta e vendit.

Zelensky tha se një armëpushim ishte i nevojshëm për të “garantuar se Putin nuk do të vijonte” luftën për të marrë më shumë territore ukrainase.

Presidenti ukrainas u shpreh i gatshëm të punonte me Trump për arritjen e paqes. Në Shtator 2022, Rusia shpalli në mënyrë të njëanshme aneksimin e rajoneve ukrainase të Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia pas referendumeve që nuk u njohën ndërkombëtarisht.