Aktualitet DETAJET/ Ekzekutohet në lokal një 50-vjeçar në Ndroq të Tiranës

DETAJET/ Ekzekutohet në lokal një 50-vjeçar në Ndroq të Tiranës

Alfred Dedja, 50-vjeç, u ekzekutua me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në Ndroq të Tiranës.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal të zonës.

Dedja ndodhej në ambientet e lokalit kur autori i dyshuar, i identifikuar si Julian Gjoshi, iu afrua dhe e qëlloi për vdekje. Më pas, autori u largua nga vendngjarja me një makinë (Benz të zi, ML) drejt Shijakut, ku raportohet se jeton.

Vrasja dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Megjithatë ekspertët nuk përjashtojnë edhe pistat e tjera.

Në momentin e vrasjes, 50-vjeçari ishte në shoqërinë e personave të tjerë që dëshmuan të gjithë ngjarjen dhe ishin pikërisht ata që identifikuan Gjoshin si autor. Detaj ky që tregon se palët kishin njohje me njëri-tjetrin.

Viktima mësohet se ishte banor i zonës. Ndërsa sa i përket autorit të dyshuar ai rezulton person me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje.

“Më datë 01.12.2024, rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç. Autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kapjen e autorit të dyshuar“, tha policia e Tiranës në një informacion paraprak për mediat.

Ngjarja u dëshmua nga klientë të shumtë që ndodheshin në lokal.