Sherif Durmishaj ose i njohur ndryshe si kapiten Baçi ka folur sot në Euronews Albania në programin “People” të Flori Gjinit, mbi rastin e veçantë ku në rrjetat e një peshkatari në zonën e Pashalimanit ka rënë një peshkaqen ”Derr”.
Kapiten Baçi rrëfen se peshkatari Viktor Koçaj kishte kapur këtë peshkaqen dhe ia kishte sjellë duke i thënë se nuk kishte parë ndonjëherë si ky lloj.
“Peshkaqeni kishte rënë në rrjetë dhe fatmirësisht ishte gjallë dhe peshkatari Koçaj e kishte futur në një kovë me ujë. Pasi e pashë kontaktova me specialistët dhe një shoqatë kroato-boshnjake që merret më speciet, konkretisht me peshkaqenët. Pasi e verifikuan, ata më thanë që ky hyn te peshkaqenët “Derr”, por është shumë i rrallë dhe i veçantë”, thotë kapiten Baçi.
Sipas specialistëve, kjo specie është e rrallë, gjendet në thellësi mbi 300 m dhe ushqehet kryesisht me vezët e peshkaqenëve.
Kjo specie është në mbrojtje dhe peshkatarët e Radhimës e kanë lëshuar sërish në det.