Aktualitet Vrau Alfred Dedjen, Julian Gjoshi: Sa herë takoheshim më shante dhe ofendonte,...

Vrau Alfred Dedjen, Julian Gjoshi: Sa herë takoheshim më shante dhe ofendonte, e mbaja me lekë dhe bukë

27-vjeçari Julian Gjoshi është marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Alfred Dedjes, menjëherë sapo u vetëdorëzua në polici.

I riu ka deklaruar para grupit hetimor se krimin e kreu pasi ndihej i ofenduar nga 50-vjeçari. Sipas tij, Dedja e ofendonte sa herë që takoheshin.

Takimin e fundit, 27-vjeçari ka thënë se e kishin pasur 10 ditë më parë. Edhe aty, ka treguar Gjoshi, ishte ofenduar nga viktima.

“Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante e ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Ditën e ngjarjes e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe. Sapo u ul e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher te Golden, pronë e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve“, ka treguar Julian Gjoshi.

Autori Gjoshi pasi kreu vrasjen kishte qëndruar në fshatin Shkallnur të Kavajës, në një hotel.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur Alfred Dedja është qëlluar me 5 plumba, 3 prej tyre e kanë kapur në trup duke humbur menjëherë jetën.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, Policia i gjeti armë zjarri edhe viktimës, teksa të dy rezultojnë të skeduar për vjedhje dhe trafik narkotikësh.