Prokuroria e Posaçme ka sqaruar përmes një njoftimi për mediat dosjen në ngarkim të Asllan Dogjanit, të cilën e depozitoi sot në Gjykatën e Posaçme duke e akuzuar deputetin e Partisë Demokratike për kryerjen e veprës penale “deklarim i rremë i pasurisë”.
Sipas SPAK, Dogjani ka bërë deklarim të rremë në ILDKPKI në vitin 2010 për mënyrën sesi përfitoi një apartament me sipërfaqe 128.4 m2.
Deputeti ka paraqitur një kontratë ku pretendohet se në këmbim të apartamentit do t’i ofronte ndërtuesit konsulencë juridike në vijim, por sipas Prokurorisë së Posaçme ekziston edhe një kontratë më e vjetër që tregon se Dogjani ka paguar në cash për të përfituar banesën.
“Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen. Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash. Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”, sqaron SPAK.
Sipas procedimit penal të datës 8 shkurt 2024, Dogjani akuzohet për veprën penale “refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, sipas nenit 257/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Dogjani po ashtu akuzohet se ka shkelur ligjin “për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë”, me deklaratën e pasurisë që ka paraqitur para se të kandidojë për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.