Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi zgjatjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Fuad Verzillovit, një prej emrave që rezultoi edhe në operacionin e fundit të SPAK, në goditjen ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela.
Verzivolli dyshohet për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit.
Në vendimin e GJKKO-së thuhet se urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Fuad Verzivolli, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.
Njoftimi i GJKKO:
1- Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 02.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
2- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 147, datë 03.12.2024, vendosi:
1- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues“Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim: Fuad Verzivolli si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit **** në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale “Organizata kriminale”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 – 22, 28/1, 333/2 dhe 334 paragrafi i dytë të K.Penal;
2- Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Fuad Verzivolli, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.
3- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
4- Mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata për personin nën hetim të shpërblehet nga shteti sipas tarifave të parashikuara në ligj.
5- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 03.12.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.