Kryesore Blushi lexon mesazhin e Metës në protestën para SPAK: Është vrarë besimi...

Blushi lexon mesazhin e Metës në protestën para SPAK: Është vrarë besimi tek drejtësia

Partia e Lirisë proteston këtë të premte para ambienteve të SPAK.

Në banerin kryesor që mbajnë në duar zv.Presidentja e PL-së Erisa Xhixho, Sekretari i kësaj partie Tedi Blushi e përfaqësues të tjerë shkruhet: “Jo drejtësi me regji!”.  Ka edhe parulla të tjera kundër kreut të SPAK Altin Dumani.

Një numër i konsiderueshëm forcash policie kanë krijuar kordon para Prokurorisë së Posaçme. Kjo si masë mbrojtëse në rast incidenti nga ana e protestuesve.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi lexoi mesazhin e Metës. Ai tha se sot është vrarë besimi tek drejtësia.

“Jemi këtu për një mision kombëtar për një drejtësi të pavarur. SPAK është bunkeri i fundit i qeverisë së Ramës. Është vrarë besimi tek drejtësia. Sot kemi në pushtet një narko-qeveri, më të korruptuarën e Europës. Kjo drejtësi mbylli dosjen e Dibrës, Elbasanit. Rama ka blerë dhe ka grabitur zgjedhjet. SPAK është kthyer në oksigjen për Rilindjen.

SPAK mbyll sytë përpara kullave të drogës dhe korrupsionit shtetëror, të lidhur me afera ndërkombëtare, si ajo McGonigal. SPAK është mbrojtësi i tradhtisë kombëtare, me mosveprimet e tij, përballë denoncimeve shokuese. Me inceneratorin e Tiranës është vjedhur pa maska. Opozita po persekutohet politikisht, përmes hetimeve të montuara”, tha Blushi.