Sërish nën masa të rrepta sigurie, portugezi Ruben Saraiva është paraqitur këtë të enjte pranë Prokurorisë së Rrethit Lezhë.
Ai u njoh me statusin e ri në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 Prill 2023.
Siç ka deklaruar avokati i tij Kujtim Cakrani, tashmë portugezi nga një person nën hetim prej 1 viti e gjysmë, akuzohet zyrtarisht si autor i vrasjes. Megjithatë, Cakrani tha se beteja ligjore do të vijojë.
“Sot ka ndryshuar pozicioni procedurial. Nga person i dyshuar është akuzuar zyrtarisht si person që ka kryer vrasjen e biznesmenit. Tashmë është i pandehur. Ne do njihemi me aktet e Prokurorisë. Nuk ka asnjë provë tjetër përveç atyre që janë publike”, deklaroi avokati.
Kujtojmë se 55-vjeçari u vra në lokalin e tij në Shëngjin. Në pamjet e kamerave shihej një person me skafandër në kokë, maskë në fytyrë e jelek fosforeshent që e qëlloi me armë zjarri të paktën 6 herë.
Prokuroria e Lezhës thotë se Saraiva erdhi në Shqipëri më 14 Shkurt të 2023-it dhe për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani, të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Të dhënat e mbledhura nga grupi i hetimit treguan se gjatë përgatitjes për të kryer ngjarjen, ai u bë pjesë e komunitetit në Shkodër dhe Lezhë, duke mësuar shqip dhe bërë humor me qytetarët e zonës.