Sport Atalanta nuk ndalet më, ndaj Milan vjen fitorja e nëntë radhazi. Inter...

Atalanta nuk ndalet më, ndaj Milan vjen fitorja e nëntë radhazi. Inter tris Parmës

E tani janë nëntë. Atalanta nuk ndalet më dhe në ndeshjen e dytë të javës së 15 të Serie A mposhti 2-1 Milan, duke arritur fitoren e nëntë radhazi në të gjitha kompeticionet dhe duke marrë kreun e kampionatit. Dea e Gasperinit, i pezulluar dhe i zëvendësuar në pankinë nga Gritti, shfrytëzoi maksimalisht goditjet standarde për të realizuar të dy golat e ndeshjes.

Fillimisht Atalanta mori avantazhin me De Ketelaere në minutën e 12′ – i shkëlqyer për të kaluar mbi Hernandez – dhe më pas me Lookman zgjidhi ndeshjen tre minuta para fundit. Ndërkohë, Milan kishte arritur të barazonte me Morata në minutën e 22′ pas asistimit të Leao, por nuk mjaftoi për të dalë pa humbje nga Bergamo dhe për të mbetur në ndjekje të ekipeve të para. Diferenca me Atalantën kryesuese tashmë është 12 pikë.

Inter vazhdon ndjekjen e Napolit me një trigolësh bindës. Pas shtyrjes së ndeshjes me Fiorentinën për shkak të problemit shëndetësor të Bove, në javën e 15 të Serie A, skuadra e Simone Inzaghi imponohet 3-1 ndaj Parmës dhe shkon në kuotën e 31 pikëve. Në Meazza, gjatë pjesës së parë, ishin zikaltrit ata që e kontrolluan lojën dhe, pas një goditje në traversë nga Dumfries, dukalët u detyruan të dorëzoheshin para një kryevepre të Dimarco (40′). Ky gol hapi rrugën për shfaqjen e Inter. Në pjesën e dytë, Barella (56′ – asist i mrekullueshëm nga Mkhitaryan) dhe Thuram (67′) e shtuan rezultatin dhe e mbyllën praktikisht ndeshjen. Në fund, autogol i Darmian (81′) nuk ndryshoi asgjë për fatet e lojës.