Bota SHBA godet bazat e ISIS brenda Sirisë, Biden: Assad duhet ndëshkuar, rënia...

SHBA godet bazat e ISIS brenda Sirisë, Biden: Assad duhet ndëshkuar, rënia e regjimit një akt drejtësie

Presidenti Joe Biden tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për të shqyrtuar alternativat dhe për të menaxhuar rrezikun pasi kryengritësit përmbysën Presidentin sirian Bashar al-Assad.

Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe do të ndjekin me kujdes retorikën dhe veprimet e grupeve rebele.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë zyrtarisht vendndodhjen e Asadit, por vuri në dukje njoftimet sipas së cilave ai kishte shkuar në Moskë.

Ai tha se “Assad duhet çuar para drejtësisë dhe të ndëshkohet”.

Biden tha se Siria është në një periudhë rreziku dhe pasigurie dhe se është hera e parë në vite që as Rusia, as Irani dhe as organizata militante e Hezbollahut nuk kanë një rol me ndikim në Siri.

“Për vite të tëra, mbështetësit kryesorë të Assadit kanë qenë Irani, Hezbollahu dhe Rusia. Por gjatë javës së fundit, mbështetja e tyre u shpërbë, sepse të tre ata janë shumë më të dobët sot se sa ishin kur unë mora detyrën”, tha Biden, i cili u bë president në vitin 2021.

Presidenti Biden tha se forcat amerikane kryen të dielën mbi 10 sulme me preçizion të lartë brenda Sirisë duke vënë në shënjestër kampet dhe operativët e grupit militant Shteti Islamik.

“Është një moment që ofron mundësi historike për popullin e Sirisë i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë, që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e vet krenar. Është gjithashtu një moment rreziku dhe pasigurie,” tha zoti Biden. “Ndërsa ne të gjithë bëjë pyetjen se çfarë vjen më pas, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë dhe palët e interesuara në Siri për t’i ndihmuar ata të përfitojnë nga mundësia për të menaxhuar rrezikun”, shtoi Biden.