Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi këtë të hënë në selinë rozë Kryesinë e Partisë Socialiste, ku u emërua një drejtues i ri politik për Dibrën.
Gjatë mbledhjes u zyrtarizua emri i Blendi Klosit si drejtues politik i qarkut të Dibrës nga radhët e PS-së.
Ky vendim i socialistëve vjen pas vakancës së krijuar në Dibër, me largimin e Blendi Gonxhes drejt Tiranës.
Gjithashtu, Kryesia e PS-së vendosi që Pirro Vengu të asistojë Bledi Çuçin në qarkun e Vlorës, duke e bërë këtë qark me dy drejtues politikë nga radhët e PS-së.
Po ashtu mësohet se në mbledhjen e Kryesisë së PS ishin të pranishëm online edhe kryetarët e bashkive. Në fokus gjithashtu ishte edhe vota e diasporës.
Burime bëjnë me dije se socialistëve ju janë lënë edhe 2-3 javë kohë për identifikimin e emigrantëve dhe regjistrimin në regjistrat e PS.
Kujtojmë se Rama i ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm shumë më herët dhe ka pretenduar në deklarata për media se PS do të arrijë një rezultat historik, si në vitin 1997.
Nga ana tjetër, edhe opozita ka nisur organizimin për zgjedhjet e ardhshme, ku kryedemokrati Sali Berisha ka premtuar te mbështetësit fitoren e zgjedhjeve dhe rotacionin politik.