Irani, me një lëvizje të menjëhershme, ka braktisur Assadin duke filluar kontaktet me rebelët opozitarë. Ky fakt është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë iranian për Reuters. Kjo shihet edhe si një përpjekje për të parandaluar një trajektore armiqësore mes dy vendeve.
Përparimi i rrufeshëm i një aleance milicie të kryesuar nga Hayat Tahrir al-Sham, një ish degë e Al-Kaedës, shënoi një nga kthesat më të mëdha për Lindjen e Mesme në breza. Rënia e Asadit si president do të hidhte një bastion nga i cili Irani dhe Rusia ushtronin ndikim në të gjithë botën arabe. Zyrtari i lartë iranian, për Reuters, tha se sundimtarët klerikë të Iranit, duke u përballur me humbjen e një aleati të rëndësishëm në Damask dhe kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, ishin të hapur për t’u angazhuar me udhëheqësit e rinj të Sirisë.
“Ky angazhim është kyç për stabilizimin e lidhjeve dhe shmangien e tensioneve të mëtejshme rajonale,” tha zyrtari iranian për Reuters.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, do të mbajë një fjalim në Teheran të mërkurën, duke u fokusuar në zhvillimet në Lindjen e Mesme. Kështu ka raportuar agjencia zyrtare iraniane IRNA, pas zhvillimeve të fundit në Siri, ku prej vitesh Irani ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Bashar al-Asad.
Ndërkohë, aleati tjetër i Assad, Moska, po konsideron prezencën e saj në Siri dhe në dy bazat e saj. “Për momentin është e parakohshme të flitet për ruajtjen e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri, çështja do të diskutohet me autoritetet lokale,” kështu deklaroi zëdhënësi presidencial rus, Dmitry Peskov. “Është shumë herët për të folur për këtë.
Në çdo rast, kjo është një temë diskutimi me ata që do të jenë në pushtet në Siri,” u tha Peskov gazetarëve kur u pyet nëse Rusia shpreson të ruajë praninë e saj ushtarake në Siri. Nga ana e tij, Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka në plan të takohet me Bashar al-Assad, i cili mori azil politik në Moskë pasi u largua nga Siria.
Bëhet e ditur se flamuri rebel u ngrit mbi ambasadën siriane në Moskë. Sakaq, duke folur në Sky News në Mbretërinë e Bashkuar, ministri britanik Pat McFadden sugjeroi që Anglia mund të konsiderojë ndryshimin e statusit të Hayat Tahrir al-Sham, të cilin Londra aktualisht e cilëson si një grup terrorist. “Ne do ta marrim në konsideratë. Dhe mendoj se do të varet pjesërisht nga ajo që do të ndodhë,” tha McFadden. Qeveria britanike e etiketoi Hayat Tahrir al-Sham në maj 2017 si organizatë terroriste.