Nga tendat që Fronti Europian ka ngritur para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, me argumentin e mbrojtjes së gjuhës shqipe, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti foli për mediat duke thënë se ky organ i drejtësisë duhet të hedhë poshtë debatin për 13 nenet dhe tentativat për të cunguar gjuhën shqipe, ose përndryshe nuk do të ketë qetësi në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti ishte i ashpër me gjuhën që përdori, kur tha se nuk guxon të preket në palcën e shqiptarëve, pasi kjo nuk është në të mirë të askujt.
“Respektoni Marrëveshjen e Ohrit dhe mos cenoni e mos prekni në palcën e shqiptarëve sepse nuk është mirë as për ju as për ne. Ky shtet është i përbashkët. Në këto momente jo aq të mira për ne, neve po na rrezikohet diçka e shenjtë e fituar me gjak nëpër shekuj, gjuha jonë. Do doja nga ky shesh ti drejtohem Hristijan Mickoskit: ‘Ne duam paqen, ne duam demokraci, ne duam liri, e duam për të gjithë, ne duam që vendi ynë të jetë gjithnjë e më tepër në progres dhe sa më afër BE-së, e jo të veprojmë në institucione për të dëmtuar një gjuhë e cila është zyrtare dhe e dalë nga një proces dialogues’. Asnjëherë nuk kemi kontestuar as gjuhën e bashkëqytetarëve as historinë e bashkëqytetarëve. Prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët sepse edhe durimi ka një fund”, tha Ahmeti.
Sipas tij, protesta që ata kanë marrë përsipër të realizojnë nuk ka të bëjë me pohimet e Mickoskit se BDI-ja dëshiron të krijojë mjegull për shkak të krimeve të bëra kur ishte në pushtet.
Ahmeti shprehur kritika të forta edhe për liderët e koalicionit shqiptar në pushtet, VLEN, duke thënë se ata ndryshojnë qëndrimet në mënyrë të shpeshtë.
“Sa për këta tanë që brenda një muaji ndërrojnë ditë për ditë qëndrimet. Fillimisht gjuha shqipe nuk ishte zyrtare e tani na u bë zyrtare dhe dalëzotës janë bërë dhe janë trimëruar. E di unë sa trima janë. Aq trimëri kanë sa një mace të rrëzojë enët në kuzhinë. Aq është takati i tyre”, u shpreh kreu i BDI-së.