Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka uruar kreun e SPAK, Altin Dumani pas vlerësimit që ky i fundit mori nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken si një ndër kampionët e luftës kundër korrupsionit.
Teksa i cilësoi frymëzuese përpjekjet e Dumanit, ambasada e SHBA shprehet se do të jetë gjithnjë pranë tij dhe institucioneve të drejtësisë derisa barazia para ligjit të bëhet realitet për të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Ambasada e SHBA i shpreh urimet Altin Dumanit për vlerësimin me Çmimin për Kampionët Kundër Korrupsionit për vitin 2024 në vlerësim të përpjekjeve të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit.
Ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar.
Puna juaj frymëzon të gjithë ata që besojnë në fuqinë e së vërtetës dhe llogaridhënies.
Ambasada e SHBA do të vazhdojë të punojë me ju, me SPAK dhe me të gjithë institucionet e drejtësisë për të bërë realitet barazinë përpara ligjit për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, shkruan ambasada amerikane në Tiranë.