2024-ës po i vjen fundi. Dhe, si zakonisht, redaktorët e “Nature” sapo kanë publikuar listën e dhjetë personave që morën pjesë në disa nga momentet më domethënëse të 2024-ës për shkencën.
“Nga një eksperte kundër mashtrimit në Gjermani tek një studente që bën fushatë për paga më të larta në Kanada, tek lideri i përkohshëm i Bangladeshit – lista e këtij viti paraqet njerëz që kanë pasur një ndikim të madh në komunitetin shkencor dhe në botë”, komentoi Brendan Maher, redaktor i revistës.
“Ata janë të gjithë njerëz të jashtëzakonshëm në qendër të ngjarjeve të jashtëzakonshme”. Ja pra, dhjetë personalitetet shkencore të vitit 2024.
Placide Mbala, një epidemiolog në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Biomjekësore në Republikën Demokratike të Kongos, ngriti alarmin për një shpërthim vdekjeprurës të virusit të lisë së majmunit në vend dhe parashikoi me saktësi aftësinë e virusit për t’u përhapur përtej kufijve të vendit.
Anna Abalkina, një studiuese në Institutin për Studime të Evropës Lindore në Universitetin e Lirë të Berlinit, u vendos në një listë ruse vëzhgimi për punën e saj, e cila synon të zbulojë mashtrimet në botimet shkencore, duke përfshirë plagjiaturat e shumëllojshme.
Mjeku kinez në Universitetin Mjekësor Detar të Shangait, Huji Xu, kishte një qasje revolucionare për trajtimin e sëmundjeve autoimune duke përdorur qeliza T të modifikuara nga gjenet që rrjedhin nga një donator.
Ekkehard Peik, një fizikan në Institutin Kombëtar të Metrologjisë të Gjermanisë, ka regjistruar tik-takimin e parë të një ore të akorduar në frekuencën e një bërthame atomike dhe “premton” se një ditë do të sjellë teknologji që mund të tejkalojë saktësinë e orëve të sotme atomike.
Li Chunlai, një gjeolog me Agjencinë Kombëtare të Hapësirës të Kinës, ishte shkencëtari i parë që mori në dorë mostrat e tokës hënore, të cilat u dorëzuan në Tokë këtë vit nga misioni Chang’e 6.
Astronomi Wendy Freedman, nga Universiteti i Çikagos, prezantoi rezultate që mund t’i japin fund një pyetjeje të gjatë rreth asaj se sa shpejt po zgjerohet Universi.
Remi Lam, një studiues në Google DeepMind në San Francisko, ka përdorur mjete të fuqishme të inteligjencës artificiale në parashikimin e motit për të prodhuar parashikime që janë më të shpejta dhe më të sakta se modelet konvencionale.
Ky vit njohu gjithashtu punën e tre individëve që mbrojtën kauza të rëndësishme: Kaitlin Kharas, një studente doktorature në Universitetin e Torontos, ndihmoi në udhëheqjen e një fushate që rezultoi në rritjen e parë të pagave për studiuesit kanadezë të doktoraturës dhe postdoktoraturës në dy dekada.
Avokatja zvicerane Cordelia Bahr përfaqësoi me sukses mijëra gra në një proces gjyqësor historik duke argumentuar se ndryshimi i klimës është një çështje e të drejtave të njeriut.
Si dhe ekonomisti fitues i çmimit Nobel, Muhammad Yunus iu përgjigj thirrjes për t’u bërë udhëheqësi i përkohshëm i Bangladeshit, pas një revolucioni të udhëhequr nga studentët.