Aktualitet Krimi në Durrës/ Hodhi shokun nga ura në kanalin e ujërave të...

Krimi në Durrës/ Hodhi shokun nga ura në kanalin e ujërave të zeza dhe fshehu ngjarjen: Më ngacmoi gruan

Policia e Durrësit zbardhi një ngjarje të rëndë kriminale ku një 35-vjeçar vrau shokun dhe më pas fshehu krimin.

Majlind Habibi u vu në pranga pas hetimeve që zgjatën disa ditë. Policia e qytetit bregdetar thotë se mori kallëzim në datën 4 dhjetor nga një banues në lagjen numër 15 në Durrës se djali i tij Branko Shkoza ishte larguar prej dy ditësh (2 dhjetor) nga shtëpia dhe kishte humbur kontaktet me të.

Pas kërkimeve, policia mundi të gjejë trupin e pajetë të djalit 33-vjeçar në një kanal të ujërave të zeza. Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune.

Për këtë arsye, efektivët e Durrësit më 6 dhjetor sollën një njoftim për shtyp, ku flitej për një ngjarje aksidentale. Por këqyrja e vendit të ngjarjes nuk ka bindur hetuesit që kanë krijuar dyshime se ngjarja nuk ishte në fakt e tillë.

Nga verifikimet e tyre, u dokumentua me prova shkencore se 35-vjeçari Majlind Habibi, pas një konflikti për motive të dobëta, shtyu dhe hodhi nga një urë në kanalin e ujërave të zeza 33-vjeçarin Shkoza. Për pasojë ky i fundit humbi jetën.

Autori ka rrëfyer para hetuesve se një ngacmim i Shkozës ndaj bashkëshortes së Habibit dhe ofendimet përkundrejt tij në momentin që i kërkoi të mos e përsëriste, e kanë shtyrë që t’i merrte jetën 33-vjeçarit.

“Shkak për sherrin u bë fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte bashkëshorten. Ai mu përgjigj shumë keq, më ofendoi. Me tha: ‘Shiko bëj ndonjë punë tjetër se i zgjidh vetë hallet gruaja jote’. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtëpi dhe e lash aty”, ka rrëfyer 35-vjeçari.

Më tej ai ka thënë në polici se nuk i kishte shkuar ndër mend që Shkoza mund të kishte humbur jetën si pasojë e shtyrjes që i bëri.

“Nuk mendova se kishte vdekur, thash me vete se do ngrihet prap se në ujë ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi. Shkova sërish ditën e dytë te vendi ku u përleshëm dhe pashë që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi. Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia dhe ambulanca thashë nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafë”, mësohet të ketë deklaruar autori para hetuesve.