Aktualitet Shteti merr në zotërim pasuritë me vlerë 1 mln euro të Redjan...

Shteti merr në zotërim pasuritë me vlerë 1 mln euro të Redjan Rrajës, mes tyre dhe Audi i Kejvina Kthellës

Pasuritë e Redjan Rrajës janë konfiskuar përfundimisht duke i kaluar në pronësi shtetit pas vendimit të Apelit të GJKKO.

Bëhet fjalë për pasuri me vlerë tregu rreth 1 milion Euro. Kështu, janë konfiskuar pasuritë:

1- Një njësi me sipërfaqe 30 m², në emër të shtetasit Redjan Rraja

2- Një njësi me sipërfaqe 76 m², në emër të shtetasit Redjan Rraja

3- Një njësi me sipërfaqe 127.5 m², në emër të shtetases Marsela Çiça

4- Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases Marsela Çiça

5- Një njësi me sipërfaqe 18.09 m², në emër të shtetases Marsela Çiça

6- Një automjet në pronësi të shtetasit Redjan Rraja

7- Një automjet në pronësi të shtetases Kejvina Kthella

8- Një orë dore (Rolex).

Mes pasurive të sekuestruara është edhe automjeti Audi i Kejvina Kthellës të cilën ia kishte dhënë Redjan Rraja. Pjesa tjetër e pasurive të Rrajës ishin vendosur në emër të Marsela Çiçës.

Pas konfiskimit, të gjitha pasuritë ju dorëzuan Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin e ndodhur në 1 Nëntor të 2019 tek mbikalimi i Shkozetit. Në atë ngjarje mbetën të plagosur ish-prokurori Arjan Ndoja e Aleksandër Laho dhe humbi jetën një javë më vonë në spital shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.